Vaksinimi antikovid/ Rama: Kemi ambicien që në pikun e sezonit turistik të kemi lehtësim

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një bashkëbisedim me qytetarët në Berat se fluturimet me Britaninë e Madhe mund të rifillojnë shumë shpejt, pasi ky vend po ecën në procesin e vaksinimit.

I pyetur në lidhje me hapjen e fluturimeve me Britaninë e Madhe, që të mund të vijnë turistë në Berat nga ky vend, Rama tha se, “ne nuk kemi kufij të mbyllur si Shqipëri”.

“Me Britaninë e Madhe është një rast specifik për shkak të variantit të ri të koronavirusit që u shfaq në Britaninë e Madhe. Nuk është vetëm Shqipëria, por janë të gjitha vendet e Europës që janë mbyllur në raport me Britaninë e Madhe. Pra, nuk ka fluturime nga Britania e Madhe në asnjë vend të Europës jo vetëm në Shqipëri. Natyrisht që kjo është e vështirë ta thuash se deri kur do të zgjasë. Ne ndjekim me vëmendje edhe veprimet e të tjerëve në këtë aspekt”, u shpreh Rama.

Por shtoi Rama, “ka një aspekt që besoj duhet t’ju japë optimizëm që Britania e Madhe është një prej shumë pak vendeve që po ia dalin më mirë sesa të tjerët me vaksinimin, për arsye specifike të tyre, edhe për faktin se një nga vaksinat ka lindur në Britaninë e Madhe dhe ata po ecin shpejt drejt çlirimit të hapësirës nga armiku i padukshëm. Unë pashë pardje, mos gabohem, kryeministrin e tyre që lajmëroi disa zhvillime shumë optimiste në Britaninë e Madhe. Pasi është fakt që vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për këputjen e zinxhirit të infeksionit dhe sa më shumë njerëz vaksinohen aq më shumë krijohet mundësia për të hequr masat. Dhe faktikisht ai tha që ata përgatiten që në mars të fillojnë me një çlirim gradual të masave”.

“Mund të ndodhë që shumë shpejt të hapen fluturimet me Britaninë e Madhë, nuk është e thënë që deri në maj. Ky është një vendim që ne e marrim në mënyrë periodike, nuk e kemi marrë me një afat të gjatë, sepse këtu me këtë lloj situate, gjithmonë gjërat ndryshojnë dhe dinamikat janë të paparashikueshme”, tha Rama.

Por, shtoi Rama, ajo që unë besoj dhe që është shumë e rëndësishme për ne është që ne të arrijmë të vaksinojmë intensivisht gjatë gjithë sezonit pranveror, dhe këtu fus dhe ambicien që kur të hyjmë në sezonin e verës dhe kur të hyjmë në pikun e sezonit turistik ne të kemi një lehtësim sidoqoftë nga pikëpamja e rrezikut. Natyrisht nuk do të mund të vaksinojmë dot të gjithë popullatën deri në atë fazë, por nëse do të vaksinojmë një pjesë jo të vogël, brenda planit tonë që brenda 14 muajsh ne ta kryejmë të gjithë vaksinimin, atëherë sigurisht që ne do kemi një avantazh dhe do kemi një marzh veprimi shumë më të madh se ai që kemi sot”.

“Për këtë arsye ne po punojmë ditë-natë, realisht, nuk është metaforike është reale, ditë natë për të siguruar dozat e nevojshme që ta vazhdojmë programin e vaksinimit duke i rritur sasitë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “kemi organizuar një rrjet vaksinatorësh dhe po bëhet përzgjedhja edhe e disa grupeve shtesë, një grup nga studentët e Infermierisë dhe një grup nga Forcat e Armatosura, për të pasur kapacitet në terren, që në momentin që disponojmë më shumë doza, të kemi më shumë kapacitet vaksinimi ditor”.

“Turizmi është goditur po jo aq shumë sa mund të ishte goditur nëse ne së pari do të kishim mbyllur kufijtë. Gjë që ne nuk e bëmë dhe së dyti nëse ne nuk do kishim lehtësuar sipërmarrjet në hoteleri për t’iu dhënë mundësi që të shfrytëzojnë gjithë sezonin me një turistë disi më ndryshe”, theksoi Rama në bashkëbisedim.

“Sepse vërtetë nuk erdhën ata që zakonisht do të vinin nga jashtë, por erdhën shumë shqiptarë Shqipërie që qëndruan këtu se nuk shkonin dot jashtë dhe me këtë rast në vend që të shkonin dhe të harxhonin kohën dhe lekët nëpër Greqi, Itali, Turqi e me radhë shkuan dhe pushuan dhe udhëtuan nëpër Shqipëri. Dhe patjetër edhe turistët nga Kosova, shqiptarët e Kosovës që erdhën në numra të konsiderueshëm”, u shpreh ai.

“Këtë vit besoj që duke marrë parasysh edhe eksperiencën e viteve të shkuar do të jetë më mirë sesa vjet. Jam i bindur dhe shifrat e tregojë që do të jetë më mirë sesa vjet, sepse edhe një pjesë e të huajve të vaksinuar do të lëvizin. Edhe një pjesë e rëndësishme e jona që do të jenë të vaksinuar, do ta kenë më të lehtë. Pra do të ketë pak më shumë frymëmarrje këtë vit në industrinë e turizmit dhe në turizëm”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.