Plani i Veprimit 2021-2025/ Masë e re mbështetje emigrantëve që të investojnë në shtëpitë e tyre për agroturizëm

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Kthimi masiv i shtëpive në fshat, në bujtina mbetet një nga prioritetet kyçe të qeverisë dhe mbështetja e emigrantëve mbi një shumë të caktuar, do të jetë pjesë e Planit të Veprimit 2021-2025.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Berat, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur disa nga projektet e reja për mbështetjen e agroturizmit.

“Ne kemi lehtësuar maksimalisht sipërmarrjen e  vogël me zero taksa, zero TVSH dhe për një bujtinë e vogël hyn te kjo kategori. Sigurisht që ju jeni në të drejtën tuaj që ta merrni shkallë shkallë këtë proces. E kishit TVSH 20 %, na u lutët ta bënim 8 %, e bëmë 6 %. Tani që vajti zero kuptohet që do donit që jo vetëm të mos paguanit asgjë, por të paguajë qeveria”, u shpreh Rama.

Ai shtoi bëri të ditur detaje nga projektet në mbështetje edhe të bizneseve të reja.

“E para, është një projekt për të cilën kemi nënshkruar marrëveshjen në vizitën time të fundit në Turqi për Beratin dhe Gjirokastrën për një ndërhyrje më të konsolidueshme sesa ato që ne kemi bërë në vite për restaurimin dhe vënien në kushte optimale të këtyre godinave që janë monumente kulture”, deklaroi Rama.

Dhe e dyta, theksoi Kreu i Ekzekutivit, po punojmë me kryebashkiakun e Beratit dhe atë të Gjirokastrës, është një program i veçantë për nxitjen e jetësimit të këtyre banesave.

“Nuk është vetëm restaurimi, por edhe jetësimi. Kthimi i këtyre banesave në një instrument ekonomik jo për shtetin, por për pronarët. Jemi duke punuar për këtë dhe paralelisht do të kalojmë në parlament së shpejti një ligj për Startup-et. Kishim një bashkëbisedim me ndërmarrjet e vogla inovative që shtrihen në disa lloj drejtimesh dhe ai ligj do jetë një mbështetje e rëndësishme për ata më të rinjtë që hapin biznese të reja”, tha Rama.

“Po ashtu jemi duke punuar për një masë të re për të gjithë emigrantët që do të jenë të gatshëm të investojnë në shtëpitë e tyre, flas për shtëpitë në fshat, në tokën e tyre për agroturizëm apo në investime që do jenë mbi një shumë të caktuar. Jemi duke e përgatitur masën dhe besoj do të jetë pjesë e planit të veprimit 2021-2025″, tha Kryeministri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.