“Perseverance” regjistron pamjen e kraterit Jezero në Mars

FLORIDA, 26 shkurt /ATSH-AA/ – Anija kozmike “Perseverance” e Agjencisë Amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) regjistroi pamjen panoramike të kraterit Jezero në sipërfaqen e Marsit.

Panorama prej 360 gradë e formuar me bashkimin e 142 fotografive të shkrepura nga kamera dytësore Mastcam-Z e mjetit, u publikua në faqen e internetit të NASA-s.

Fotografia e përbërë me veçori të zmadhimit, ka cilësinë e pamjes me rezolucionin më të lartë të regjistruar deri më sot në sipërfaqen e planetit të kuq.

Në fotografi mund të shihen shpatet në horizont dhe linjat e jashtme të deltës e cila parashikohet të jetë një ish liqen që ushqehet nga përrenjtë.

“Perseverance”, pas lëshimit nga stacioni i hapësirës Cape Canaveral në Florida të SHBA-së më 30 qershor 2020 arriti të zbresë me sukses në sipërfaqen e Marsit më 20 shkurt pas rreth 7 muajsh dhe një udhëtimi 470 milionë kilometra.

Mjeti më i zhvilluar i dërguar në Mars

Mjeti “Perseverance”, i ndërtuar në laboratorin Jet Itki të NASA-s në Kalifornia dhe i cili punon me lëndën djegëse plutonium, njihet si një ndër mjetet me cilësitë më të zhvilluara teknologjike të dërguara deri më tani në Mars.

Institucioni hapësinor ka njoftuar se ka shpenzuar 2.4 miliardë dollarë për punimet e infrastrukturës për realizimin e misionit të ri në planetin e kuq dhe 300 milionë dollarë për sistemin që mundëson funksionimin e tij.

“Perseverance” i cili ka analizues kimik, 20 kamera, sondë shkëmbore për të mbledhur mostra, një “dorë” robotike dhe një mini-helikopter, planifikohet të qëndrojë dy vite në Mars për aktivitetet zbuluese. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.