Pas Beratit, nis vaksinimi antikovid i bluzave të bardha në Kukës

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Mëngjesin e sotëm ka nisur vaksinimi antikovid i bluzave të bardha në qytetin e Kukësit.

Pas nisjes së këtij procesi në Berat një ditë më parë, për mjekët dhe infermierët e më pas për moshat mbi 80 vjeç, tashmë vaksinimi antikovid i bluzave të bardha vijon në Kukës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu solli pamje nga vaksinimi në Kukës.

Në vendin tonë prej mbërritjes së dozave të para të vaksinave “Pfizer”, siç raportoi dje Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë realizuar 10135 vaksinime antikovid.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, dje informoi se ky proces në fundjavë do të vijojë edhe në Korçë.

“Brenda 15 marsit përfundojmë angazhimin tonë për vaksinimin e gjithë personelit mjekësor dhe vijojmë shtrirjen tek moshat e treta, mbi 80 vjeç, dhe kështu me radhë”, tha Manastirliu. /j.p/r.e/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.