Një mësuese që del sot në pension merr më shumë/ Reforma hoqi tavanin 240 mijë lekësh të atyre që fantazojnë sot

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Qeveria është duke parë mundësinë për të zeruar taksën e tatimfitimit për punonjësit me pagë deri në 40 000 lekë.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimit me qytetarët e Beratit, të premten në mëngjes, tha se nga kjo politikë fiskale që po mendohet të merret nga qeveria, pritet të përfitojnë rreth 67 % e pagamarrësve.

I pyetur për mundësinë e rritjes së pensioneve, Rama tha se dëshira është e madhe, por kjo varet nga investimet dhe nga ecuria e ekonomisë. Rama gjithashtu u ndal tek premtimet e opozitës, duke theksuar se, “dëshiron të jetë i sinqertë sa i takon pensioneve dhe jo të gënjejë si opozita, që do të ulë prodhimin e qumështit dhe do rrisë prodhimin e djathit”.

“Kjo është pyetja më e vështirë që mund t’i bëhet një kryeministri të çdo vendi në botë. Është pyetja më e vështirë, se nuk dua të gënjej, se po doja të gënjeja do të jepja atë përgjigjen fantastike, që jep opozita, do ul sigurimet, do rris pensionin, që thonë ata që e ndritën kur e kishin në dorë këtë vend”, – tha Rama.

“Se të thuash atë, është njësoj si të thuash se do të ul prodhimin e qumështit dhe do të rris prodhimin e djathit. Gjithsesi ato s’kanë gjë në dorë sot, e s’kanë për të pasur gjë në dorë  në të ardhmen e mund të thonë e fantazojnë çfarë të duan”, – shtoi Rama.

Kryeministri kujtoi dhe reformën në pensione. “Ne kemi bërë një reformë në fushën e pensioneve, që po të ishte bërë 20 vite më parë, s’do kishim bërë këto diskutime sot. Nga reforma në pensione ka ndodhur diçka, një mësuese që del sot në pension e ka më të lartë pensionin se një mësuese që ka dalë në pension para reformës. Përpara reformës ata që fantazojnë sot, kishin vënë një tavan 240 mijë lekësh dhe kishin vënë ca pensione suplementare për të justifikuar në pak raste një pension më të madh, dhe ti mund të bëje ç’të duash, të kontribuoje sa të duash dhe sërish merrje maksimumi 240 mijë lekë. Sot pensioni është sa ke kontribuar, aq do marrësh, s’ka tavan. Sa më shumë kontribuon, aq më i lartë do të jetë dhe niveli i pensionit”, – tha Rama.

Rama nënvizoi se, rritja e pensioneve është jashtëzakonisht e lidhur me kapacitetin për të paguar pensionet. “Kushdo që paguan sigurimet, siguron pensionin e vet dhe mban skemën në këmbë dhe me ato para paguhen pensionistët e sotëm. Nëse ti rrit jashtë mundësisë për t’i paguar pensionet nesër, ti i hap gropën atyre që vijnë pas një numri të caktuar vitesh dhe shteti shkon drejt falimentimit. Rritja e pensioneve është e lidhur me balancimin e skemës”, – tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.