Marrëveshja e grantit për përmbytjet/ Ekspertët turq mbërrijnë në Tiranë, do vizitojnë zonat e dëmtuara nga reshjet

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi priti sot në një takim një delegacion turk i kryesuar nga zv/drejtori i përgjithshëm i Pylltarisë në Turqi, Mustafa Ozkaya dhe ekspertë të fushës.

Delegacioni turk shoqërohej nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Kjo vizitë  e ekspertëve turq vjen pas firmosjes këtë të mërkurë, të marrëveshjes së grantit mes Turqisë e Shqipërisë për dhurimin e disa pajisjeve në ndihmë të situatës së përmbytjeve dhe vërshimit të ujërave në sipërfaqet e tokave, mes ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi dhe ministrit turk të Bujqësisë, Bekir Pakdemirli.

Ministrja Ekonomi falenderoi palën turke për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e qeverisë turke për të ndihmuar në ofrimin e ekspertizës në çështjet që kanë të bëjnë me bonifikimin e tokës dhe pyjet, me fokus të veçantë zonat e përmbytura.

Nga ana e tij, ambasadori turk falenderoi ministren Ekonomi duke e konsideruar takimin e së mërkurës midis kryeministrin Edi Rama dhe ministrit turk Pakdemirli si një nxitje e inkurajim për të arritur rezultate konkrete në këtë bashkëpunim të ri.

Ngritja e grupeve të përbashkëta të punës mes ekspertëve turq e shqiptarë dhe njohja me zonat e prekura është hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes, ndërsa pritet të mbërrijnë dhe pajisjet e dhuruara nga pala turke për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.