Gjonaj, takim me homologen gjermane: Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka zhvilluar këtë të premte një takim dypalësh online me ministren e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Christine Lambrecht.
Ministrja Gjonaj bën të ditur se homologes gjermane i shprehu mirënjohjen personale dhe të Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e fortë të Gjermanisë për çeljen e negociatave si dhe falënderoi atë për asistencën teknike që Gjermania ka ofruar në reformimin e shtetit të së drejtës dhe sistemit gjyqësor nëpërmjet Fondacionit Gjerman për Ndihmë Ligjore Ndërkombëtare (IRZ).
“I shpreha gjithashtu falenderimet e mia gjithashtu për mbështetjen e ambasadorëve gjermanë Schultz dhe Zingraf, si dhe të ekspertëve, të cilët kanë mbështetur hartimin e Reformës në Drejtësi, pjesë integrale e grupit të punës për këtë kam qenë edhe personalisht”, bëri të ditur Gjonaj.
“I prezantova Ministres së Drejtësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Christine Lambrecht ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi si emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Strukturën e Posacme Antikorrupsion, SPAK, BKH, Gjykatat e posacme, rezultatet e Vetingut si dhe masat e marra me Shkollën e Magjistraturës për të adresuar vakancat në sistemin e drejtësisë”, shtoi Gjonaj.
“Ministrja Lambrecht shfaqi interes të lartë për procesin e Reformës në Drejtësi dhe shprehu bindjen që Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur. Në Gjermani u shpreh ajo Gjykata Kushtetuese gëzon një besim shumë të lartë dhe vendimarrjet e saj respektohen maksimalisht dhe është shumë e rëndësishme që Shqipëria ka marrë këtë rrugë shumë të vështirë, por po aq të rëndësishme për t’i kthyer besimin gjyqësorit”, vijoi Gjonaj.
“Ministrja Lambrecht vlerësoi masat e marra nga me iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare mbi trajtimin financiar të gjyqtarëve për rëndësinë e pavarësisë ekonomike të gjyqësorit, ristrukturimin dhe mekanizmat e vendosur për të garantuar pavarësinë dhe paanësinë e gjyqësorit. Ministrja Lambrecht u shpreh se IRZ është prej 20 vjetësh në Shqipëri dhe kanë një bashkëpunim shumë të mirë me palën shqiptare dhe se ajo do të mbështesë zgjatjen e projektit. Ajo e konsideroi me rëndësi që nën drejtimin e IRZ-së të vazhdohet bashkëpunimi me EURALIUS VI”, bëri me dije Gjonaj.
“Në rolin tim si koordinator kombëtar kundër korrupsionit u ndala gjithashtu në masat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të forcuar luftën kundër korrupsionit si edhe për ngritjen e funksionimin e taskforcës dhe rrjetit të koordinatorëve antikorrupsion dhe rëndësinë e tyre veçanërisht në institucionet që kanë një rrezik të lartë për t’u ndikuar nga veprimet korruptive, me përgjegjësinë e tyre për të kryer inspektime, për të marrë denoncimet, si dhe referuar në Prokurori çdo rast të dyshuar korrupsioni, apo shpërdorim detyre”, theksoi Gjonaj.
“Ministrja Federale e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorëve vlerësoi shumë hapat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe më siguroi për mbështetjen e saj dhe të Ministrisë Federale të Drejtësisë lidhur me projektet që garantojnë forcimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Falenderim për fjalët përzemërta dhe shpreh bindjen se Reforma në Drejtësi është një hap i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për hapjen e rrugës në BE”, bëri të ditur Gjonaj. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.