E paditi në SPAK/ Balla i përgjigjet Bardhit: Kur të dalë rezultati i zgjedhjeve, do kallëzojë në Prokurori për tradhti gjithë PD e Elbasanit

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me përfaqësuesit e biznesit të vogël në Elbasan.

Gjatë fjalës së tij, Balla i është përgjigjur edhe Gazment Bardhit lidhur me padinë që ka depozituar në SPAK, me pretendimin se shtabi elektoral i PS ka telefonuar qytetarët që marrin ndihmë ekonomike.

“Elbasani ka një traditë shumë të mirë të bashkëjetesës si ndërfetare, dhe ndërpolitike. Unë nuk dua që t’i kthehem me të njëjtën gjuhë, se mirë do ishte që unë ta padisja për shpifje në lidhje me atë që ka thënë, por unë nuk po i hy, sepse nuk kam kohë për t’u marë as me Gazin, as me Lulin, as me Saliun, as me Ilir Metën, me Monikën jo e jo.

Por, për Gazin një gjë ua them me siguri të plotë, kur të dalë rezultati i zgjedhjeve në Elbasan, Gazi do padisë dhe do kallëzojë në prokurori për tradhëti të lartë dhe për tallje me udhëheqjen të gjithë PD-në e Elbasanit. KSHQ. Bëhu gati PD-ja e Elbasanit se do ju kallëzojë Gazi për tradhëti dhe që talleni me udhëheqen”, tha Balla.

Partia Demokratike reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp duke theksuar se, “Balla nuk del dot në qytet, dhe nuk mund të shfaqet para qytetarëve për shkak të mashtrimeve elektorale dhe abuzimit me pushtetin, ndaj vepron me metoda presioni ndaj qytetarëve në nevojë”. PD thekson se, “ne do të bëjmë publike evidencat që kemi dorëzuar në prokurori. Do të merremi me faktet”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.