COVID-19 – Greqia zgjat bllokimin e rreptë në disa rajone

ATHINË, 26 shkurt /ATSH-ANA/ – Dy komuna në Selanik (Kalymnia dhe Kordelio-Evosmos) dhe Njësitë Rajonale të Evisë (me përjashtim të Skyros), Achaia, Arcadia, si edhe Atika mbeten në nivelin e rrezikut shumë të lartë, njoftoi sot zëvendësministri i Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Krizave, Nikos Hardalias, gjatë konferencës mbi ecurinë e pandemisë së COVID-19.

“Njësitë Rajonale të Lefkada-s (përveç Meganisi), Thesprotia, Syros, Samos, Heraklion dhe Corinth, si edhe bashkitë e Arta, Didymoteicho, Lokra, Amfilochia, do të hyjnë në nivelin e “rrezikut të rritur” nga nesër, e shtunë, në orën 06:00, deri më 8 mars”, tha Hardalias.

Në të njëjtën kohë, Hardalias iu referua komunave të Larissa-s dhe Volos duke theksuar se barra epidemiologjike tregon një trend të rrezikshëm në rritje në 24 orët e fundit.

“Ne kërkojmë nga banorët që të jenë shumë të kujdesshëm dhe të qëndrueshëm në vëzhgimin e masave. Bashkëpunimi i të gjithëve është i nevojshëm në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim të mëtejshëm të ngarkesës virale dhe të mos ketë nevojë për të marrë masa shtesë”, paralajmëroi ai.

Sipas Vana Papaevangelou, mjeke në spitalin e Sëmundjeve Infektive Pediatrike dhe anëtare e Komitetit të Ekspertëve, barra epidemiologjike vazhdon të mbetet shumë e lartë, me 12 000 raste aktive, veçanërisht në Atikë.

Ajo shprehu, gjithashtu, shqetësimin për një rritje në numrin e shtrimeve të reja në spital, që tejkaluan 2 500 pacientë, duke vënë dukshëm në presion sistemin shëndetësor, me 88% të kujdesit intensiv COVID të zënë.

Papaevangelou shtoi se, në javën e fundit, ka pasur një rritje të numrit të vdekjeve, një trend që pritet të vazhdojë në javët e ardhshme./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.