Votimi i të prekurve me COVID-19/ Celibashi: Duhen ndryshime ligjore

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Me bazën ligjore aktuale të zgjedhjeve, të prekurit me COVID-19, që duhet të qëndrojnë të izoluar, nuk mund të votojnë. Për t’i hapur rrugën votimit të të infektuarve me COVID-19 duhen ndërmarrë ndryshime ligjore në Kuvend.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një bashkëbisedim me gazetarët ka deklaruar të enjten, se nuk ka një metodë që mund t’u ofrohet qytetarëve të prekur me COVID-19 që të votojnë në zgjedhje nga ambientet ku do të jenë të izoluar. Sipas tij, vetëm nëse partitë dhe parlamenti bien dakord për të bërë ndryshime ligjore, atëherë dhe kjo kategori personash do të ketë mundësi të votojnë. Celibashi u shpreh se me bazën ligjore që kemi sot, mundësi ka vetëm për ata që janë në burgje dhe spitale për të votuar.

“Nëse qytetarët janë të pamundur për të dalë nga shtëpitë e tyre për arsyet e kovidit ne s’kemi asnjë lloj mundësie për t’ua ofruar shërbimin e votimit atje ku banojnë. I vetmi përjashtim që sanksionon Kodi Zgjedhor ka të bëjë me qendra të posaçme që ngrihen në institucione siç janë burgjet dhe në rast ku ka jo më pak se 15 zgjedhës. Nëse partitë dhe parlamenti dakordësohen mund të bëjnë ndryshime në ligj për të gjetur zgjidhje në këtë, por e shoh të vështirë që të bëjmë një zgjidhje. Ata do vazhdojnë të ngelen pa votuar sa kohë të jetë ky kuadër”, tha Celibashi.

I pyetur për votën e emigrantëve, Celibashi tha se koha është në limite, por duhet  një konsensus mes të gjitha palëve politike.

“E vërteta është që nuk kam qenë optimist për këtë projekt, votën e emigrantëve, por besimplotë se që të realizohet duhet konsensus mes të gjitha palëve. Nuk kam qenë pasi koha që KQZ ka pasur në dispozicion për të përgatitur të gjithë aktet ka qenë jo ajo që do të duhet të ishte”, u shpreh Celibashi.

“Unë ende shpresoj akoma, jo vetëm për faktin se numri i personave që janë deklaruar në gjendje civile është i vogël, e cila është një arsye që tregon se ende ekziston mundësia, që ne ta provojmë në këto zgjedhje. Kodi Zgjedhor thjesht dhe vetëm ka transferuar atë që Kushtetuta prej 30 e ca vitesh ka sanksionuar. Kodi Zgjedhor ka klauzolë që thotë se KQZ merr një vendim ku do i përfshijë për herë të parë votuesit jashtë Shqipërisë në zgjedhje. Rregullatori është në të drejtën e vet ta marrë këtë vendim. Pra nuk është thënë që në këto zgjedhje duhet zgjidhur kjo gjë. Nuk ka asnjë rregull sesi duhet bërë votimi, kjo duhet bërë nga e para. Vazhdoj ta them është i rëndësishëm që ky proces të ketë konsensus politik të gjithë partive. Duhet të ketë konsensus mes partive që të mos ketë kontestime”, tha Celibashi.

Për votimin e Diasporës, Celibashi tha se janë dy mënyra. “Në grupin e punës dhe informalisht janë dy mënyra të cilat po diskutojmë, njëra është ajo që ka të bëjë me shërbimin nëpërmjet postës dhe tjetra ka të bëjë me dërgimin nëpërmjet emalit të fletës së votimit. Por ndërtimi do të bëhet në një formë të inkriptuar të fletës së votimit dhe do të dekriptohet nëpërmjet një sistemit të ndërtuar nga KQZ. Votimi nëpër ambasada është teorik si opsion, për të mos thënë që është i pamundur, jo se të gjithë faktorët e parapëlqejnë, por kërkon një angazhim që nuk mund të realizohet”, u shpreh ai.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Celibashi bëri me dije se është vendosur që pajisja që bën të mundur identifikimin elektronik të votuesit në kohë të shpejtë, të vendoset në njësinë numër 8. “Është dakordësuar që të jetë njësia numër 8. Do bëhet në të gjitha qendrat e votimit të kësaj njësie. Vendimin zyrtar, KQZ ende se ka marrë. Kanë qenë 3 njësi, 10, 3 dhe 8 në diskutim, ka patur një dakordësi paraprak për 8 por jemi duke pritur për një konfirmim”, tha ai.

Për fletën e votimit, ai tha se vendimi do merret pas datës 8 mars, kur partitë apo koalicionet do të dorëzojnë listat e kandidatëve. “Gjithçka do varet nga lista e kandidatëve, që do dorëzohen nga partitë apo koalicionet brenda datës 8 mars. Forma e organizimit të fletës së votimit do të varet nga numri i personave dhe subjekteve që do të jenë në fletën e votimit. Janë 46 parti të regjistruara. Duke hequr partitë në koalicione janë edhe 20 parti të tjera që konkurrojnë veças. Është një numër i madh dhe do të imponojë një fletë votimi të dimensioneve të mëdha”, tha Celibashi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.