Vijimi i mësimit online/ Kushi: Të jemi sa më rigorozë dhe të motivuar

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka shpërndarë një album me foto nga shkolla të ndryshme të vendit rreth procesit mësimor gjatë kësaj jave, ndërsa ka bërë edhe apel të fortë mbi ruajtjen e rigorozitetit dhe motivimit për mësimin online në shkollat e mesme të qyteteve me risk të lartë.

Kushi falënderoi çdo nxënës e mësues për respektimin e masave antikovid, si dhe çdo prind për durimin dhe mirëkuptimin e reflektuar deri më tani.

Ajo ka edhe një mesazh për shkollat e mesme të qyteteve me risk të lartë, të cilat do të vazhdojnë mësimin online.

“Nisur edhe nga sugjerimi më i fundit i Komitetit Teknik të Ekspertëve për mbajtjen në fuqi të masave të dy javëve të fundit, ku shkollat e mesme në qytetet me risk të lartë do të vazhdojnë mësimin online, bëj thirrje që të gjithë të jemi sa më rigorozë dhe të motivuar për të ndjekur siç duhet procesin mësimor nëpërmjet kanaleve të ndryshme, si: “RTSH Shkollë”, platforma “Akademi.al” dhe adresa “Youtube” e MASR”, u shpreh ministrja Kushi.

Ajo apeloi për respektimin e masave antikovid.

“Kohët e vështira kërkojnë detyrimisht sakrifica të mëdha! Mbi të gjitha, angazhim maksimal dhe përgjegjësi të shtuar qytetare! Prandaj, ju lutem të gjithëve, të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë e të kujdesshëm në respektimin e masave anti-COVID, si mënyra e duhur për të përballuar dhe kapërcyer me sukses situatën e vështirë që po kalojmë. Bashkë ia dalim!” – theksoi ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.