Rimbursimi i TVSH-së për biznesin/ Denaj: 21.6 miliardë lekë në vitin 2020, synojmë automatizimin e procesit

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Rimbursimi i TVSH-së është prioritet i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe synon automatizimin e këtij procesi.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh se, “në vitin 2020, edhe pse një vit i vështirë pandemie, nuk reshtëm së paguari rimbursimin e TVSH-së për biznesin. Janë rimbursuar 21,6 miliardë lekë gjatë vitit që lamë pas duke përmbushur detyrimet sipas kërkesave të paraqitura.”

Gjatë interpelancës së zhvilluar sot me përfaqësues të bizneseve të interesuar mbi përmirësimin e shërbimeve dhe rimbursimin e TVSH-së, Denaj theksoi se, “në vitin 2019 është rimbursur një shumë e konsiderueshme, 23.6 miliardë lekë dhe kemi ezauruar një problematikë të hershme tek të gjitha kompanitë e fasonerisë të eksportit që kanë pasur vonesa”.

Ministrja shpjegoi se ky proces ka tre komponentë: rimbursimi në kohë, rimbursimin në vlerë të plotë dhe procedurat në raport me kontrollin.

Sipas saj aplikimi fillimisht i rimbursimit me këste për kompanitë e mëdha dhe më pas sipas procedurës FITO (kush aplikon i pari i merr i pari), ka ndihmuar në ezaurimin plotësisht të kërkesave sipas metodës FITO.

“Synojmë që në qershor të këtij viti e gjithë shuma e rimbursimit, përfshirë edhe kompanitë e mëdha, të jetë zero”, – tha Denaj.

Ministrja u shpreh se, “ky është një angazhim  që ne e ndërmorëm përpara se të goditeshim nga pandemia dhe të kishim kostot e konsiderueshme të lidhura me tërmetin, por kjo nuk do të thotë se qasja jonë do të jetë e larguar nga zerimi i rimbursimit të plotë të TVSH-së, përderisa marrëveshja me kompanitë, sipas ligjit, po vijon, të gjitha detyrimet që kemi nga eksportuesit, fasonerinë dhe biznesin shqiptar do t’i zbatojmë në kohë reale”.

Për sa i përket procedurave, Denaj tha se është përgjysmuar koha e kryerjes së rimbursimit, nga 170 ditë në 80 ditë dhe synojmë automatizimin e këtij procesi në fund të vitit 2021-2022.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.