Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga kampet siriane/ Çuçi në Beirut: Vendosmëri për të finalizuar me sukses edhe këtë operacion

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në vijim të angazhimit të qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet siriane, prej dy ditësh ndodhet në Beirut të Libanit.

“Bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb dhe drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, zhvillova një takim me drejtorin e përgjithshëm të sigurisë në Liban, gjeneral major Abas Ibrahim”, u shpreh ministri Çuçi.

“E falenderova Gjeneralin për gjithë kontributin e tij të çmueshëm në këtë proces dhe e garantova për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në çështje të sigurisë dhe sidomos në finalizimin me sukses të këtij operacioni të vështirë në një kohë sa më të shkurtër”, tha Çuçi.

“Vizita në Bejrut është gjithashtu tregues domethënës i këmbënguljes së qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria”, shtoi ministri Çuçi.

Çuçi theksoi se, “do të punojmë me po të njëjtin përkushtim dhe vendosmëri për të finalizuar me sukses edhe këtë operacion ashtu sikundër bëmë radhën e parë”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.