Programi i PD për energjinë/ Zv.ministri: Përsëritje e të gjitha dështimeve në qeverisjen e tyre

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja deklaroi sot se humbjet nga energjia elektrike, nga 53% që kanë qenë në dhjetor të 2013-ës, sot janë në më pak se 22%.

I pyetur në një intervistë në lidhje me programin e Partisë Demokratike për energjinë, Bejtja tha se , “unë pashë në atë deklarim të përsëriten të gjithë dështimet e kohës së qeverisjes së PD nga 2005-2009, ku ka ndodhur një katrahurë, sidomos kur flasim për burime të reja hidrike. Ato kanë lëshuar atëherë letra bakalli, pa asnjë lloj vlere, pa projekt, pa studime hidrike dhe gjeologjike për 517 hidrocentrale, të cilat pastaj krijuan tregun e lejeve të hidrocentraleve, me bakshishe, me lekë për letra, dhe kurrë nuk u ndërtuan, pjesa më e madhe e tyre”.

“Janë ndërtuar vetëm një pjesë të cilat edhe këto janë të verifikuara nga ana jonë, të gjitha, pa përjashtim, me shtrembërime dhe devijime nga projektet e miratuara nga oponenca teknike dhe nga Këshillat Teknik në momentin që janë licencuar”, u shpreh Bejtja.

“Në mandatin e parë deri tani ne kemi dhënë rreth 110 leje, HEC-e të vogla dhe mesme, të cilat janë ndërtuar. Nuk vjen vërdallë ndonjë letër për t’u shitur si letër me vlerë, midis atyre që janë të interesuar të ndërtojnë dhe atyre që kanë arritur ta marrin me mik një leje të tillë”, shtoi Bejtja.

I pyetur në lidhje me premtimin e kreut të PD, Basha se do bëjë liberalizmin e tregut të energjisë elektrike, Bejtja tha se, “ky duket një lajm shumë i rëndë për konsumatorët familjarë, kur kemi parasysh që i gjithë tregu i familjarëve është i subvencionuar me një tarifë nën kosto”.

Bejtja u shpreh se gjatë qeverisjes së PS “u adresuan totalisht nevojat e grupeve vulnerabël. 213 500 konsumatorë, të cilët janë të konsideruar në nevojë, duke përfshirë 88 mijë pensionistë të vetëm, 80 mijë familje në asistencë sociale, mbi 17 mijë paraplegjikë, tetrapelgjikë dhe rreth 7 mijë shoqërues të tyre të domosdoshëm, rreth 13 500 shurdh dhe memecë dhe mbi 9 mijë punonjës publikë që kanë pagë më të ulët se 35 mijë lekë, të gjithëve iu subvencionua për 300 kw në muaj diferenca nga 7.7 në 9.5 lekë. Tregu i energjisë nuk ka më manipulime. Të gjithë e paguajnë energjinë njësoj me 9.5 lekë dhe të gjithë ata që nuk kanë qenë të subvencionuar, iu ul çmimi i energjisë nga 13.5 në 9.5 lekë, me 4 lekë, rreth 42%”.

Bejtja tha se, “kjo është një arritje shumë e madhe dhe nuk u bë këto kështu në boshllëk. U bë duke rritur performancën e sistemit elektroenergjetik, në veçanti të grupit të OSHEE, i cili arrit të ulë humbjet nga energjia elektrike, përfshirë këtu vjedhje dhe humbje financiare, nga 53% që kanë qenë në dhjetor të 2013-ës, sot jemi në më pak se 22%. Dhe këto kanë qenë hapa viganë të bërë me shumë pak investime”.

“Kur ne kemi filluar reformën na duheshin më tepër se 1 miliardë euro investime. Ne kemi bërë diku tek rreth 35 miliardë lekë, të barazvlefshme më pak se 350 milionë euro investime. Kemi rritur menaxhimin në nivele të standardeve ndërkombëtare. Kemi bërë të mundur një kontroll vertikal dhe horizontal të të gjithë niveleve në ndërmarrje, qoftë për cilësi shërbimi që t’i përgjigjemi në kohë çdo ankese të qytetarëve, qoftë që mos kemi faturime të gabuara, qoftë që të kemi mundësi korrektimin e situatave të gabuara nëpërmjet sistemit në mënyrë direkte pa e ngarkuar me faturime të tepërta konsumatorin”,  u shpreh Bejtja.

Lidhur me premtimin e Bashës për krijimin e Bursës së Energjisë, Bejtja theksoi se, “Bursa është e themeluar, ka dy kompani ortake OST-në shqiptare me 53% dhe KOSTT-in e Kosovës me 47 %. Një mekanizëm, i cili i ka vënë vulën njëherë e mirë integrimit të të dy tregjeve të energjisë, i cili ka filluar si proces qysh në prill të 2016-ës, në vendimin e mbledhjes së parë të përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës në Kukës”.

“Sot kemi Bursën e Shqipërisë në fazën e përzgjedhjes së operatorit të shërbimit, i cili do të instalojë menjëherë, e ka të gatshme platformën, dhe fillon brenda këtij muaji nga testi i thatë, dhe vazhdon rreth 3 muaj me testin e thatë. Për t’u përgatitur për të pasur volumet e para të energjisë elektrike të tregut shqiptar dhe atij të Kosovës në muajt shtator-tetor”, përfundoi Bejtja. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.