Pandemia nxiti përdorimin e teknologjisë/ 12,8 % e bizneseve realizuan shitje online

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Pandemia Covid-19 nxiti përdorimin e teknologjisë në sektorin e biznesit, si në drejtim të investimeve në kompjutera, programe, ekspertë të TIK, marketingut dhe shitjeve.

Sipas të dhënave të INSTAT, 98,3 % e ndërmarrjeve ekonomike kanë përdorur kompjuter për qëllime pune gjatë vitit 2020, kundrejt  97,5 % që ishte në 2019.

Ndërsa po gjatë këtij viti u rrit në 28,2 % numri i ndërmarrjeve që kishin specialistë të fushës së teknologjisë së informacionit nga 23,4 % që ishte në vitin 2019.

Sipas INSTAT 12,8 % e bizneseve realizuan shitje online

Në vitin 2020, 12,8 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve.

“Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimit të ushqimit me 38,2 %, pasuar nga informacioni dhe komunikacioni me 30,1 % dhe shërbime administrative dhe mbështetëse me 21,1 %”, bën të ditur INSTAT.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.