Meta: COVID-19, u shfrytëzua për shkeljen dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ “COVID-19, jo vetëm i thelloi pabarazitë në vend, por u shfrytëzua pabesisht edhe për shkeljen dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve për motive, që nuk kishin asnjë lidhje me pandeminë”, deklaroi sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Me anë të një reagimi Meta u shpreh se, “përpjekjet e Qeverisë për të shkatërruar demokracinë dhe kapur institucionet e pavarura nuk u kursyen as gjatë kësaj kohe, duke kulmuar me dhunë policore shproporcionale ndaj qytetarëve, shembjen kriminale të Teatrit Kombëtar dhe miratimin e të tjera koncesioneve dhe akteve antikushtetuese, që cenojnë interesin publik e kombëtar”.

“Duke e përshëndetur mesazhin e Komisioneres për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, bashkëndaj të njëjtin qëndrim se ky duhet të jetë viti për t’i thënë ndal shkeljes së të drejtave të njeriut”, tha Meta.

“Me referendumin historik të 25 prillit, qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të ndahen nga kjo epokë e errët e dhunimit të demokracisë dhe degradimit të shtetit ligjor. Pranvera shqiptare po vjen!” – përfundoi Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.