GJERMANI – Një punonjës në Bundestag arrestohet për spiunazh në favor të Rusisë

BERLIN, 25 shkurt /ATSH-DPA/- Një qytetar gjerman u akuzua për spiunazh për llogari të Rusisë, pasi dyshohet se i kishte dhënë skica të planimetrisë së parlamentit gjerman një agjenti të shërbimeve sekrete ruse.

I identifikuar nga Prokurori i Përgjithshëm gjerman vetëm si Jens F, ky person kishte punuar për një kompani që kryente vazhdimisht punime në Bundestag, selia e parlamentit gjerman, duke inspektuar pajisjet elektrike të lëvizshme, të përdorura në ndërtesë.

”Kjo i dha atij akses në skedarët e planimetrisë së dyshemesë, të cilat ai ia dërgoi një punonjësi të ambasadës ruse në Berlin i cili punonte për agjencinë ruse të shërbimit sekret ushtarake, GRU”, theksoi Prokurori i Përgjithshëm në një deklaratë.

“Në periudhën midis fundit të korrikut 2017 dhe fillimit të shtatorit 2017, i pandehuri vendosi me iniciativën e tij për të dorëzuar informacione edhe mbi pronat e Bundestagut gjerman te shërbimet sekrete ruse”, shtoi deklarata.

Jens F do të paraqitet para një gjykate speciale në Berlin për ndjekjen penale të krimeve kundër shtetit nën akuzat e veprimit si agjent i shërbimit sekret. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.