FOTO/ Ushtria e SHBA dhuron 29 automjete shumëpërdorimshme për FA

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Njëzet e nëntë automjete shumëpërdorimshme me lëvizshmëri të lartë (Humvee) mbërritën sot në portin e Durrësit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bën të ditur se këto automjete janë dhurim për Forcat e Armatosura të Shqipërisë nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë këto automjete do të ndihmojnë në rritjen e gatishmërisë ushtarake shqiptare dhe ndërveprimit të saj me NATO-n.

“Njëzet e nëntë automjete shumëpërdorimshme me lëvizshmëri të lartë (Humvee) mbërritën sot në Portin e Durrësit. Këto automjete janë dhurim për Forcat e Armatosura të Shqipërisë nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të ndihmojnë në rritjen e gatishmërisë ushtarake shqiptare dhe ndërveprimit të saj me NATO-n”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në reagimin e tij shprehet se modernizmi i FA vijon dhe falë bujarisë së SHBA.

“Modernizimi Forcave tona të Armatosura vijon edhe falë bujarisë së popullit të SHBA.
29 automjete të blinduara, të lëvizshmërisë së lartë, mbërritën sot në portin e Durrësit, për të hyrë menjëherë në përdorim të Forcës Tokësore”, shprehet Peleshi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.