COVID-19 – Konfirmohet efikasiteti i vaksinës së Pfizer

UASHINGTON, 25 shkurt /ATSH-AFP/ – Vaksina e Pfizer është efikase me 94% kundër rasteve simptomatike të COVID-19, sipas një studimit shumë të gjerë të realizuar në Izrael duke konfirmuar të dhënat e provave klinike dhe rolin vendimtar të vaksinimit për t’i dhënë fund pandemisë.

“Bëhet fjalë për provën e parë të vlerësuar nga specialistët për efikasitetin e një vaksine në kushtet e botës reale”, deklaroi Ben Reis, një prej bashkautorëve të këtij studimi të publikuar në revistën prestigjioze “New England Journal of Medicine”.

Deri tani, efikasiteti i vaksinës u provua nga provat klinike të realizuara në mijëra persona, por jo në kushtet reale, që përfshijnë një gamë më të gjerë personash dhe sjelljesh apo sfida logjistike si mbajta e zinxhirit të ftohtë.

Studimi u krye duke nisur nga të dhënat e rreth 1,2 milionë personave të trajtuar nga një prej organizmave më të mëdhenj shëndetësor të Izraelit (Clalit Health Services), nga 20 dhjetori 2020 deri më 1 shkurt 2021.

Në këtë kohë, varianti britanik qarkullonte gjerësisht në vend duke e bërë këtë rezultat dhe më interesant.

Rreth 600 000 persona që morën vaksinën u “shoqëruan” me shumë rigorozitet me rreth 600 000 të tjerë që nuk kishin marrë injeksioni, dhe paraqitnin karakteristika shumë të ngjashme për sa i përket gjinisë, moshës, por edhe sëmundjeve shoqëruese dhe vendbanimit.

Duke krahasuar të dy grupet, autorët tregojnë se vaksinimi uli rastet simptomatike të COVID-19 me 94%, rastet e rënda të sëmundjes me 92% dhe shtrimet në spital me 87%.

Këto norma vlejnë për mbrojtjen e marrë të paktën shtatë ditë pas injektimit të dytë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.