Balla: Kundërshtari im në Elbasan nuk janë Kryemadhi dhe Bardhi, por ato zyra shteti që ende nuk ofrojnë shërbime ndaj njerëzve

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ “Kundërshtari im në Elbasan nuk janë Monika Kryemadhi dhe Gazment Bardhi, por ato zyra shteti që ende nuk ofrojnë shërbime ndaj njerëzve”, tha sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se “qytetarët presin më shumë nga ne”. “Ne kemi arritur t’i reformojmë, po nuk janë në nivelin që duhet. Ne kemi arritur që të çlirojmë historinë që tatimet ishin uzurpuara nga tepsia. Kemi arritur të bëjmë një super diferencë për legalizimet. Berisha erdhi në 2005 me historinë e legalizimeve dhe bëri 22 mijë legalizime në 8 vite, ndërsa ne kemi bërë 200 mijë. Pra, 10 herë më shumë”.

Duke folur për investimet në Elbasan, Balla tha se “në vitin 2013 nuk e kisha imagjinuar që në vendlindjen time në Librazhd, pas 7 vitesh do të kisha bërë kaq shumë punë sa janë bërë sot”.

“Këtë e them në sinqeritetin maksimal dhe në vetëdijen se çfarë ka ndodhur në atë qytet dhe bashki. Ka rilindur arsimi. Nuk ka një bashki tjetër në Shqipëri, ku janë rindërtuar më shumë shkolla se sa në Librazhd. Kam edhe 3 shkolla të tjera për të cilat është planifikuar investimi gjatë këtij viti. Ndërkohë, për herë të parë në atë bashki ka fabrika, që nuk imagjinohet para 2013-tën dhe një kompani italiane që punëson vajza dhe gra. Po ashtu edhe një kompani italo-gjermano që prodhon pjesë këmbimi të kompanive si Mercedez dhe Fiat”, tha ai.

Balla tha po ashtu se “ajo që mirëpres nga policia e Elbasanit është zbulimi i ngjarjeve të vjetra kriminale”.

“Qasja e policisë së shtetit në Elbasan sot është që ka nivel zbulueshmërie, që janë ngjarje publike dhe në një kohë të shkurtër. Gjatë vitit 2020 është goditja më e rëndë që ka pësuar kriminaliteti në vendin tonë në dimensionin e pasurive të fshehura. Edhe në Elbasan keni një numër të konsiderueshëm të 467 dosjet. Kurrë më parë në këto 30 vite, çdo bande kriminale t’i ketë shkuar shteti te dera dhe t’i ketë lënë formularin e pasurisë”, tha ai. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.