79% e të infektuarve nga mosha 14-65 vjeç, ulet mesatarja ditore/ Fico: Duhet kujdes, beteja nuk ka mbaruar

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico ka deklaruar sot gjatë mbledhjes së Komitetit të Ekspertëve, se gjatë këtyre dy javëve të fundit ka patur një ulje të mesatares ditore të të infektuarve të rinj me COVID-19, ndërsa ka nënvizuar se trendi i të prekurve vijon të jetë më shumë tek të rinjtë nga mosha 15-55 vjeç.

Ajo tha të enjten se duhet të vijojmë të jemi të kujdesshëm në zbatimin e masave antikovid. “Situata epidemiologjike na kanë bërë të mendojmë edhe mbi vendimet sot. Mesatarja ditore e javës së shtatë ka pësuar një rënie nga 1906 në 1024 raste. Pozitiviteti i mostrës mbetet i qëndrueshëm, pra totali i personave që testohen dhe sa prej tyre pozitivë”, – tha Fico.

“Incidenca dyjavore, edhe pse mbetemi në transmetim komunitar të gjerë, ka një tëndencë ulje. Ajo që ne e quajmë incidencë mbetet konstante. Tek moshat ka ndryshime dinamike. Ne kemi thënë që mosha 24-35 dhe deri në moshën 55 vjeç janë më të prekurat. Ndërkohë nga mosha 15-24 deri 55-64 janë 79 % e rasteve të testuara pozitiv”, – theksoi Fico.

“Gjithsesi kjo ka një vlerë të jashtëzakoshme për të kuptuar se në fund të ditës, situata ka ndryshuar dhe mund të ndryshojë vetëm nëse ne do të jemi të vëmendshëm në respektimin e masave të thjeshta, higjiena personale…etj…Apeli është që beteja nuk ka përfunduar, dhe se duhet të vijojmë të jemi të kujdesshëm”,- tha Fico.

Ajo tha se procesi i vaksinimit vijon me ritëm të lartë. “Deri më tani nga fillimi i vaksinimit janë vaksinuar 9 910 persona, nga të cilët 667 kanë bërë dozën e dytë. Vaksinimi është fillimi i luftimit për të parë dritën në fund të tunelit. Kjo s’mund të na vetëkënaqë, por duhet të vijojmë me zbatimin e të gjithë masave. Dua të apeloj tek qytetarët apo mjekët. Nëse keni shenja, drejtojuni mjekut të familjes, nëse rasti është i rëndë drejtohuni tek 127”, – tha Fico.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.