“Vaksina antikovid, absolutisht efikase”/ Ulqinaku: 800 persona kanë marrë dy dozat, rreth 8 mijë kanë marrë një dozë

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Zëvendësdrejtori i ISHP-së Dritan Ulqinaku deklaroi sot se, vaksina antikovid është absolutisht efikase.

Në një intervistë televizive ai u shpreh se, shpresa e njerëzve për kurim pas zbulimit të vaksinës po rritet.

“Kjo është një epidemi që do studiohet gjatë edhe pas përfundimit të saj sepse ka shumë shtete të botës, që sjellja e virusit ose niveli i infektueshmërisë është i çuditshëm. Prandaj them që do studiohet gjatë. Edhe brenda Europës kemi pamje të ndryshme. Brenda Ballkanit kemi pamje të ndryshme. Brenda Azisë së largët kemi pamje të ndryshme”, tha Ulqinaku.

“Ajo që është shpresëdhënëse është që vaksina absolutisht është efikase në terren, jo më në provat klinike. Sasitë po shtohen. Numri i vaksinave po shtohet dhe shpresa e njerëzve po rritet”, u shpreh Ulqinaku.

Zëvendës drejtori i ISHP-së, Ulqinaku, tha se vendet e tjera botërore po aplikojnë tri lloje masash antikovid.

“Duhen bërë llogari edhe tre lloje masash që vendet e tjera i kanë marrë. Një është niveli i imunizimit natyror, pra sa persona janë prekur dhe e kanë kaluar këtë sëmundje, e cila përbën një premisë të mirë për të mos infektuar të tjerët. I dyti është vaksinimi, i cili ka ecur shumë mirë në disa vende si Anglia, Amerika dhe Izraeli. Dhe e treta janë masat që këto vende kanë ndërmarrë. Ne flasim për Britaninë si model suksesi, por Anglia është ende në lockdown. Duhet të llogarisim realisht sa efekte ka vaksina, por edhe sa efekte ka lockdown-i në vetvete”, tha ai.

Ulqinaku u ndal dhe tek fushata e vaksinimit në Shqipëri, teksa tha se deri më tani me dy doza vaksinash janë vaksinuar gjithsej 800 persona, ndërsa vetëm një dozë e kanë marrë rreth 8 mijë.

“Vaksina me dy doza nuk janë bërë më tepër se 800 individë. Ndërsa me një dozë ka shkuar diku tek 7-8 mijë individë”, u shpreh ai.

“Ne mundohemi të organizojmë dhe të mos na shkojnë asnjë dozë dëm të këtyre vaksinave që kanë ardhur në vendin tonë. Dhe të bëjmë një proporcion shëndetësor që sa më shumë individët ta marrin këtë bazuar në ato kategorizimet që kemi bërë”.

Ai nënvizoi se, “shkalla e refuzimit është pothuajse zero, që është një sensibilizim shumë i mirë i Shëndetit Publik falë edhe ju si media, por edhe ne si punonjës të shëndetit publik kemi bërë një punë shumë të mirë, të paktën në këtë drejtim”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.