Thumana si Shqipëria sot/ E ndryshuar rrënjësisht pas tërmetit ashtu si Shqipëria pas rrënimit të deri para 7 vjetëve

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme një foto nga Thumana e cila duket se po rilind pas tërmetit të 26 nëntorit të 2019, duke nënvizuar se pamja që ofrohet sot në Thumanë është e ngjashme me pamjen e Shqipërisë sot.

Sipas Ramës, Shqipëria sot është në fazën ku janë vënë bazat e janë ngritur muret, po ku ende duhet shumë punë për të hedhur çatitë e krijuar mjedisin e ngrohtë të zhvillimit, me frymëmarrje plotësisht të lehtësuar të jetës familjare e komunitare.

“Thumana sonte është si Shqipëria sot, në çdo sektor, një zonë e ndryshuar rrënjësisht me atë që ishte pas tërmetit, ashtu si edhe Shqipëria pas rrënimit të deri para 7 vjetëve e kusur, ku janë vënë bazat e janë ngritur muret, po ku ende duhet shumë punë për të hedhur çatitë e krijuar mjedisin e ngrohtë të zhvillimit, me frymëmarrje plotësisht të lehtësuar të jetës familjare e komunitare”, – thekson Rama.

“Thumana sot s’ka krahasim me Thumanën dje, as me atë para tërmetit, por ajo që do të bëhet nesër, kur kjo punë e madhe të jetë kryer plotësisht, s’do ketë krahasim me këtë sonte – njësoj si Shqipëria që është ende një kantier në çdo sektor, ku punët janë akoma larg së qeni të përfunduara. S’ka Kohë Për Pushim”, – shprehet Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.