Spiropali nga Gërdeci: Vlerësimi i Dvoranit, goditje për korrupsionin politik dhe mbështetje për reformën në drejtësi

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, gjyqtari Ardian Dvorani mori dje vlerësim nga DASH, si kampion në luftën kundër korrupsionit, sepse u doli përballë atyre që i bien ndesh Reformës në Drejtësi.

Në një takim me qytetarët në Gërdec, Spiropali theksoi se, “këtu në Gërdec fjalët nuk mjaftojnë. Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se ata që po duan të vijnë në pushtet vetëm lëkurën kanë ndërruar, por janë të njëjtët. Është ish-qeveria që këtë fshat të mrekullueshëm dhe fshatrat afër i kthehu në varr”.

“Janë të njëjtët njerëz që nuk kursyen asgjë për të mos bërë drejtësi për këtë vend. Është dëshmia më e qartë sesi përfundon një vend kur qeveriset nga të marrët edhe nga hajdutët. Gërdeci, dëshmi kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh Spiropali.

Por nuk mjaftoi kjo, shtoi Spiropali, “edhe dëmshpërblimet dhe ndihmat për qytetarët pas Gërdecit i dhanë sipas preferencave politike. Jeni tanët këtej, jeni të atyre andej, pavarësisht se çfarë dëmi të ka ndodhur dhe në çfarë situatë të vështirë ke qënë”.

“Ne nuk i ndajmë njerëzit në të majtë dhe në të djathtë. Për ne njerëzit janë njerëz. Ata edhe duke qenë njerëzit mirë e bukur u vinin njerëzve tek dera e shtëpisë për të bërë biznes familjar. Dhe i vetmi gjykatës, që nuk iu është nënshtruar që humbi dhe vëllain këtu në Gërdec, se e kishte ushtarak, Dvorani mori dje vlerësim nga DASH, si kampion në luftën kundër korrupsionit, se u doli përballë atyre që i bien ndesh Reformës në Drejtësi”, tha Spiropali.

“A janë ata që bërtisnin, Dvorani, Dvorani? Sali Berisha, Ilir Meta etj. Doli DASH dhe u tha, ju jeni problemi, jo ai, ju jeni problemi dhe i dha çmim atij, i dha vlerësim si i palodhur për të materializuar Reformën në Drejtësi, edhe përkundër ndikimit politik dhe kriminal”, tha Spiropali.

“Të bëjmë drejtësi njëherë e mirë që Shqipëria të mund të jetë një vend i ligjit, një vend i të drejtës, një vend i barazisë, një vend i mundësive të barabarta, jo i 5 njerëzve që janë në Tiranë dhe 3 familjeve të tyre”, theksoi ajo.

Kujtojmë se një nga kulmet e betejës së Ardian Dvoranit në luftën kundër korrupsionit, është rezistenca e tij, në janar të vitit 2012, për t’u dorëzuar përballë presionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, për të votuar pro pafajësisë së Metës, për të cilin prokuroria kërkonte dënimin me dy vite burg për korrupsion.

Ardian Dvorani, i cili ishte kryesues i turpit gjykues, u pozicionua kundër manovrës, ku u rrëzua ekspertiza ndërkombëtare që shpallte autentike videon Meta-Prifti si dhe caktimit të tre ekspertëve shqiptarë, të cilët e shpallën videon montazh, ashtu siç donte Meta. Në 15 janar 2012, një ditë para vendimit, Sali Berisha dhe Ilir Meta u shfaqën në një darkë tek shtëpia e Metës, duke i dhënë një mesazh të qartë trupit gjykues.

 

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.