Miratohet marrëveshja e partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Më datën 5 shkurt Ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Norman Dunkan, nënshkruan Marrëveshjen e Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Nënshkrimi i kësaj marrёveshjeje shёnon njё hap tё mёtejshme nё përmbushjen e kuadrit ligjor mes dy vendeve në këtë fushë, pasi synon sigurimin e vijimit të bashkëpunimit dhe vazhdimin e tregtisë midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me të njëjtat kushte preferenciale dhe pas daljes së saj nga BE.

Kjo marrёveshje ka një qasje trepalëshe ndaj rregullave të origjinës, midis Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku palёt bien dakord qё në tregtinë mes tyre të ruajnë po ato kushte preferenciale të cilat rezultojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, si për produktet bujqësore ashtu edhe për produktet industriale, si dhe angazhohen të sigurojnë një platformë për liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë midis tyre.

Promovimi dhe zgjerimi i tregtisë dypalëshe përmes zhvillimit të harmonizuar të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe eliminimit tё barrierave dhe kufizimeve në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve do të kontribuojё në zhvillimin dhe intensifikimin e bashkёpunimit bilateral mes dy vendeve tona.

Referuar të dhënave, ekziston një potencial ende i pashfrytëzuar i rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy shteteve tona. Britania e Madhe përbën rreth 1.4 % të totalit të importeve tona nga vendet anëtare të BE-së dhe 0.4 % të totalit të eksporteve në vendet e BE-së. Për këtë qëllim, miratimi i kësaj marrëveshje do të vazhdojë në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, pasi pritet të ndikojë ndjeshëm në nivelin e flukseve të FDI në Shqipëri, si edhe të rrisë eksportet shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar të vendit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.