Konsultimi publik i ligjit të ri për startup-et/ Shalsi: Mbështetje çdo të riu që ka një ide biznesi

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Çdo i ri që ka një ide biznesi, tashmë nën mbështetjen e politikave të reja që ka ndërmarrë qeveria, ka mundësi që në rrugëtimin e tij të jetë i asistuar si financiarisht, ashtu edhe në ekspertizë.

Ligji i ri “Për sipërmarrjet e reja” adreson mbështetje për modelin e zhvillimit të një Startup-i.

Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi, gjatë takimeve me pjesëtarë të komunitetit të startup-eve, përgjatë konsultimit të ligjit, ka biseduar me shumë të rinj interesantë, me ide tërheqëse dhe që janë në kërkim të mundësive të reja.

“Nëse ka një projekt ide që mishëron dhe dëshmon konkretisht se si zhvillohet një startup i mirëfilltë në Shqipëri, është ajo që na shpjegoi Genti”, – shprehet Shalsi.

Ministri tha se, “pas diplomimit në Bolonja për Informatikë Biznesi, ai u rikthye për të ngritur një biznes në fushën e ofrimit të shërbimit delivery nëpërmjet një platforme online, që tashmë ka rreth 250 mijë përdorues, 300 restorante të kontraktuar dhe 90 të punësuar”.

“E dëgjova me shumë kërshëri historinë e rrugëtimit të tyre, me të përpjetat e të tatëpjetat e saj, që përbën një shembull që duhet të njihet nga të gjithë ata që i janë futur kësaj rruge për të kuptuar më mirë vështirësitë dhe eksperiencat e hasura rëndom, por edhe për të nxjerrë mësimet e duhura”, – u shpreh ministri Shalsi.

“Bisedimi me të rinjtë dhe për projektet e tyre në të ardhmen, mbi ligjin e ri që kemi përgatitur për startup-et, mbi ekosistemin dhe sidomos për sistemin e pagesave, është dukshëm, se sugjerimet e tyre meritojnë një vëmendje të veçantë”, – u shpreh ministri Shalsi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.