TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Në armatën e bluzave të bardha, që bëjnë dallimin e madh në këtë kohë lufte për shëndetin, është edhe një brez i ri profesionistësh si Xhorxhina Metushi.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foton e infermieres së palodhur të spitalit Covid 1 e cila vijon të qëndrojë në vijën e parë të zjarrit, teksa pret të sjellë në jetë fëmijën e saj.
“Prej ditës së parë të përballjes me Armikun e Padukshëm, infermierja e palodhur e Spitalit Covid 1, vijon të qëndrojë në vijën e parë të zjarrit, teksa pret të sjellë në jetë fëmijën e saj, duke marrë në sy rrezikun për të shpëtuar njerëz në rrezik për jetën”, tha ai.
Kryeministri u shpreh krenar për bluzat e bardha që në ditët më të mundimshme të vendit, dëshmojnë me forcën e shembullit të tyre, se jo vetëm nuk janë të gjithë njësoj po edhe se një dorë abuzuesish e batakçinjsh mes bluzave të bardha, nuk e zhbëjnë dot moralin njerëzor e dinjitetin profesional të shumicës dërrmuese të tyre.
/m.m/j.p/r.e/