COVID-19/ Pipero: Vera do jetë më e qetë se vitin që shkoj falë vaksinës antikovid

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Mjeku Pëllumb Pipero, gjatë një interviste televizive theksoi se kjo verë do të jetë shumë herë më e mirë se ajo e vitit të shkuar, duke iu referuar ecurisë së pandemisë COVID-19.

Pipero deklaroi se duhet të kemi sërish kujdes në respektimin e masave, distancimit fizik, higjienës etj. Sa i takon efikasitetit të vaksinës antikovid Pipero u shpreh se ai është certifikuar nga organizata të rëndësishme botërore dhe po shihen efektet dhe në vendet që kanë nisur procesin më herët.

“Për efikasitetin e vaksinës, duhet t’i referohemi studimeve të kompanive prodhuese. Së dyti, në rast se kemi dhe studime të certifikuara nga organizata të rëndësishme për këtë, kemi dhe evidencë nga vende si Izraeli, Anglia apo të tjera, mbi përdorimin e dozës së parë dhe më pas të dozës së dytë. Eficiensat e marra nga Izraeli që ka bërë një numër të madh në popullatë për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës, janë të rëndësishme për të marrë vendime të rëndësishme në të ardhmen”,- tha Pipero.

“Besoj më shumë studimet e bëra nga kompania prodhuese dhe nga organizmat certifikuese. Pastaj sa i takon përftimit në popullata të vogla në numër të madh apo jo, është tjetër gjë. Vera do të jetë shumë herë më e qetë se çfarë mund të imagjinojmë. Vera do të jetë shumë herë më e mirë se ajo e vitit të shkuar, kjo dhe falë vaksinës, por dhe faktit se një pjesë e popullsisë tashmë e ka kaluar dhe ka imunitet. Pavarësisht kësaj, duhet sërish kujdes i shtuar për mbajtjen e maskës, higjienës dhe të gjitha ato rregullat që kemi përsëritur disa herë”,- përfundoi Pipero. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.