Vlerësimi ndaj Dvoranit, inkurajon njerëzit e ndershëm të drejtësisë/ Felaj: Presidenti po sillet si militant partie

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj e ka cilësuar vlerësimin e DASH për Ardian Dvoranin si një mesazh inkurajues për të gjithë njerëzit e ndershëm të drejtësisë në vendin tonë.

Gjatë një interviste televizive Felaj tha se Presidenti është zhveshur nga kostumi i Presidentit dhe po sillet si një militant i partisë së vet politike.

“Vlerësimi që ai ka marrë sot nga DASH si kampion në luftën anti korrupsion, është një vlerësim për ish-kreut të KED, por besoj se i bënë nder vendit dhe inkurajon të gjithë njerëzit e ndershëm, prokuror e gjyqtarë brenda sistemit të drejtësisë”,- tha Felaj.

“Presidenti e keqpërdori raportin e tij me KED, i hapi luftë kryetarit Dvorani, arriti që të deformoj figurën e tij me atë çfarë ai përhapi në opinionin publik. Sot ishte dita për të provuar, mbajti një qëndrim të gënjeshtër në opinionin publik dhe që zëdhënësi tij sot reagoi duke thënë se vota e 25 prillit do të jetë një votë kundër Reformës në Drejtësi, tregon dhe njëherë se kundërshtarët më të madh të Reformës në Drejtësi janë Ilir Meta, aleati i tij që qëndron në heshtje Lulzim Basha dhe Sali Berisha”,- tha Felaj.

“Ne si PS s’kemi asgjë për të ndryshuar nga qëndrimet tona për Reformën në Drejtësi, si një reform e domosdoshme për vendin”,- shton Felaj.

Duke u kthyer tek fushata elektorale, Felaj tha se “PS është një parti e madhe që ka punuar nga dita e parë e ardhjes në pushtet dhe deri më sot. Përfshirja e individëve që vijnë nga parti të tjera në PS, kjo nuk është risi, dyert e PS kanë qenë dhe vijojnë të mbeten të hapura. Uroj që ne të kemi sa më shumë prurje, sa më shumë ndryshim mendimi sepse ne kemi dhënë prova të qeverisjes së mirë, të mbështetjes të njerëzve dhe të çuarjes përpara të vendit. 25 Prilli mbetet një ditë fitore për PS”,- u shpreh Felaj.

E pyetur për Presidentin, Felaj u shpreh se ai është zhveshur nga kostumi i Presidentit.

“Presidenti nuk përfaqëson një pushtet në vetvete. Ai është  një person që zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë. Qartësisht ai ka dalë prej kohësh nga kostumi i vetë presidencial dhe po sillet si militant i partisë së vet politike. Ai mori një mandat duke u votuar nga një shumicë që ishte e jona për të qenë President. Për sjelljen e tij askush nuk mund të fajësojë PS”,- përfundoi Felaj. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.