TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, kantieri më i madh aktualisht në qytet, po merr formë dita-ditës ku puna ka vijuar intensivisht dhe pa u ndalur.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga punimet në këtë kantier.
Pasagjerët e parë do të ulen në aeroportin e Kukësit, në verilindje të vendit, në pranverën e këtij viti.
Aeroporti i Kukësit do të mundësojë fluturime me kosto të ulët, ndërsa do të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën. Ai shihet edhe si një gjenerator i mijëra vendeve të reja të punës që do të hapen vit pas viti, si rezultat i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë lokale.
Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit.
/r.e/