Përfundon restaurimi i teqesë dhe tyrbes në zonën historike të Kaninës në Vlorë

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Përfundojnë punimet në tyrben dhe teqenë në Qendrën Historike të Kaninës në Vlorë.

“Në Qendrën Historike të Kaninës ku prej rrënojash u kthyen në jetë dy monumente”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë pamje nga investimi.

Restaurimi i Teqesë dhe Tyrbjes së Kaninës, u realizua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në kuadër të projektit “MileSTONES III” të mundësuar nga programi Interreg IPA CBC Greece-Albania 2014-2020.

Është ndërhyrë në çatinë e teqesë, janë rregulluar të gjitha pjesët e dyerve dhe harqeve të dritareve, si dhe është kryer kosnolidimi i brendshëm. Tek Tyrbja po punohet për plotësimin e kupolës dhe konsolidimin e saj.

Teqeja e Kaninës apo Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, ndodhet në qendrën e fshatit. Ndërtimi i saj lidhet me emrin e kryeadmiralit të flotës turke, Sinan Pashës, që u vendos në Vlorë dhe Kaninë në fillimet e shek. XVI, pasardhësit e tij janë pinjollët e familjes së famshme të Vlorajve.

Tyrbja e hershme e Sinan Pashës, e ngritur në fillim të shek. XVI pranë teqesë, tashmë nuk ekziston. Të dhëna me rëndësi për tyrben, teqenë dhe një skicë për të, gjenden në studimin e Eqerem bej Vlorës për kalanë e Kaninës. Në këtë teqe u varros dhe kryeministri i fundit i Perandorisë Osmane, Ferid pashë Vlora.

Në vitin 2014 pranë Teqesë u varrosën eshtrat e Eqerem bej Vlorës. Teqeja e Kaninës u shpall Monument Kulture i Kategorisë I në vitin 2006.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.