Përfundon investimi për ujësjellësin e fshatit Tërbaç/ Gjiknuri: Puna e radhës ujësjellësi i Vranishtit

TIRANË, 23 shkurt /ATSH – I. Vata/ Deputeti i PS-së Damjan Gjiknuri ishte i pranishëm në   përfundimin e investimit për ujësjellësin e fshatit Tërbaç në Himarë.

Ai tha se po vazhdohet me veprat dhe investimi i radhës do të jetë ai për ujësjellësin e Vranishtit. “Vetëm ne që bëmë realitet rrugën e Lumit të Vlorës do mund të sjellim edhe zhvillimin e shumëpritur në çdo njësi administrative, sepse s’ka kohë për pushim, Vlora nuk ndalet”, u shpreh Gjiknuri.

Në një prononcim për mediet, Gjiknuri tha se, “kjo është një tjetër dëshmi e vëmendjes që po tregon qeveria shqiptare dhe patjetër bashkia Himarë për këtë krahinë shumë të nderuar”.

“Deri diku ka qenë e izoluar para ca vitesh me pak investime, por siç e kemi thënë në programin tonë dhe gjatë zgjedhjeve vendore, por dhe në vëmendjen që ka treguar qeveria shqiptare në këtë zonë, që i përket bashkisë Himarë, do të fillojë të ketë prioritet në investimet publike dhe sot jemi dëshmitarë të përfundimit të një investimi të rëndësishëm për fshatin Tërbaç i cili do të pasohet me një shtesë të investimit për një lagje tjetër të mbetur të papërfshirë në projekt, dhe shumë shpejt dhe ajo do të bëhet realitet, pasi është bërë projekti është miratuar dhe pritet vetëm financimi shtesë dhe investimi i radhës presim të jetë ujësjellësi i Vranishtit”, theksoi Gjiknuri.

Gjiknuri shtoi se falë investimit të madh të lumit të Vlorës që tashmë po hedh shtat plotësisht dhe shumë shpejt do jetë e përfunduar, distanca kohore e Tërbaçit me Vlorën nuk do të jetë më shumë se 35-40 minuta. Kjo vepër tjetër e bën fshatin edhe më të jetueshëm dhe natyrshëm të gjithë tërbaçjotët do të kenë një interes për ta vizituar më shumë fshatin e tyre.

“Këto investime do të vazhdojnë, rruga po hedh shtat, investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë dhe kjo është një dëshmi tjetër se vëmendja jonë për Vlorën nuk mungon për gjithë qarkun e Vlorës. Ky trend nuk mund të ndalet, Vlora nuk do të ndalet, prandaj ne kërkojmë vazhdimin, kërkojmë votën e shqiptarëve, besimin e tyre pasi kemi demostruar që jemi në gjendje të bëjmë punë të mira dhe mos kemi fjalë. Fjalë kanë të tjerët, ne kemi vepra. Dhe këtu në fshatra që asnjë se mendonte se mund të ndodhte, këto vepra po bëhen realitet dhe natyrshëm kjo është detyra jonë dhe ne do ta vazhdojmë këtë mision”, tha ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.