BRUKSEL – BE kërkon shpjegime nga gjashtë shtete anëtare për kufizimin e trafikut

BRUKSEL, 23 shkurt /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian njoftoi sot se ka thirrur gjashtë shtete anëtare, përfshirë Belgjikën dhe Gjermaninë, për të shpjeguar brenda 10 ditësh masat kufizuese të trafikut, të lidhura me COVID-19, të cilat i konsideron si joproporcionale.

“Ekzekutivi i BE-së u ka dërguar letra Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Gjermanisë, Suedisë dhe Hungarisë, pasi gjashtë vendet zbatojnë kufizime më të ashpra sesa ato të rekomanduara nga BE, përfshirë ndalimet për hyrjen në territorin e tyre”, shpjegoi një zëdhënës i Komisionit.

“Këto rregulla tregojnë për një rrezik copëzimi, pengesa për lëvizjen e lirë, përçarje të zinxhirëve të prodhimit”, theksoi ai.

KE këmbënguli se kufizimet duhet të jenë jodiskriminuese dhe proporcionale dhe u bën thirrje qeverive të interesuara të rreshtohen me rekomandimet e përbashkëta të miratuara katër muaj më parë nga të 27 vendet anëtare.

Krerët e BE-së pritet ta diskutojnë koordinimin e luftës kundër pandemisë në një samit të posaçëm me videokonference të enjten dhe të premten.

Shtetet e interesuara kanë 10 ditë për t’iu përgjigjur Komisionit, i cili nuk përjashton fillimin e procedurave të shkeljes kundër tyre./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.