Zgjedhjet e 25 prillit/ Meta thirrje partive: Kandidatët të jenë me integritet

TIRANË, 22 shkurt /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta në një konferencë me gazetarët nga Vlora deklaroi sot se kandidatët për deputetë duhet të jenë njerëz me integritet.

Duke folur për fushatën zgjedhore, Meta tha se gjatë kësaj periudhe aktorët politikë duhet të tregohen transparentë me qytetarët.

“Nuk është interesi im sesi ecën fushata, ecën e vakët, e nxehtë apo e ftohtë. Për mua është e rëndësishme që fushata të jetë e bazuar në transparencë, në ndershmëri, në llogaridhënie dhe në debatet për të ardhmen në interes të qytetarëve shqiptarë. Kandidatët të jenë njerëz me integritet. E para, të mos kenë asnjë lidhje, të mos preken nga dekriminalizimi, i bëj thirrje partive të pastrohen nga partitë. Dhe të mos marrin ata që pastrohen partitë e tjera. I bëj thirrje partive të qëndrojnë larg oligarkëve, të mos financohen nga ata. Kur flas për përmbysje demokratike, e kam fjalën për rivendosje të rendit kushtetues në vend. Ajo bazohet tek vota e lirë, tek kontributet e qytetarit. Prandaj flasim për referendum. Jemi në një situatë anormale”, tha Presidenti.

Duke folur për situatën e COVID-19 në vend dhe procesin e vaksinimit, Meta theksoi se duhet një menaxhim më i mirë i situatës dhe fokusi të vendoset tek shpëtimi i jetëve të qytetarëve.

“Ky është një proces që duhet të ecë me shpejtësinë e duhur në mënyrë sa më shkencore, me kritere të qarta, siç i ndjekin të gjitha vendet sipas kritereve të OBSH-së jashtë politizimit dhe përzierjeve arbitrare. Së dyti; vaksinimi duhet të përshpejtohet dhe duhet të ketë siguri në këtë drejtim për t’u bërë në një kohë sa më optimale, por nuk duhet kurrsesi vaksinimi dhe debati mbi vaksinimin të na shpërqendrojë nga pacientët që dergjen në spitale pa kujdesin e duhur shëndetësor. Kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme blerjen e pajisjeve jetëshpëtuese, është më i rëndësishëm se investimet publik që bëhen sot apo nesër. Jeta e qytetarit nuk pret për t’u shpëtuar, ndërsa gjërat e tjera presin. Këtu duhet të dominojë interesi për jetën e qytetarit”, tha Meta.

Presidenti Ilir Meta në një konferencë me gazetarët nga Vlora tha se, “nuk mund ta vazhdoj këtë konferencë shtypi pa felenderuar nga zemra gazetën TEMA, dhe në mënyrë të veçantë Kryeministrin, që më dhanë mundësinë të shoh Vlorën edhe në fillim të javës, për arsye të gënjeshtrave të tyre fyese, aspak profesionale për mediat e lira”.

“Mezi prita të vija në Vlorë të jepja përgjigje të gjitha shpifjeve që nga deklarata se Presidenti vjen natën në Vlorë, fshehurazi. Gënjeshtra është shndërruar në sistem në vendin tonë dhe në Vlorë duhet ta marri përgjigjen ballore. Këtu keni një shkrim nga gazeta Tema me titull “Ilir Meta fshehurazi në Vlorë për të nxjerrë LSI nga llumi”, e cila pretendon se Ilir Meta ka qenë në Vlorë fshehurazi. Po këtu keni foton e takimit të Selenicës të Presidentit me stafin, me komunitetin, takim i kërkuar prej tyre në lidhje me rrugën që kishte mashtruar qeveria, për fat të keq. Pasi u njoha me këtë shkrim mashtrues, bëra një reagim zyrtar, duke nxjerrë faktet dhe nuk jam shumë i habitur nga reagimi i botuesit të lajmit. Ajo që më habiti mua ishte deklarata e Kryeministrit që Presidenti ka ikur nga trutë. Unë po ua lë juve foton, të shkoni të verifikoni dhe për të raportuar të vërtetën mbi këtë fushatë mashtrimi të orkestruar nga kryeoligarku i Shqipërisë, me qëllim që të përjetësojë për shkak të daljes së tij nga realiteti, një sistem të gënjeshtërt në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha Meta.

“Dua t’i them atij dhe të gjithë të tjerëve se sa herë të më përmendni nga Vlora, përgjigjen do vij ta bëj këtu në Vlorë, sepse e meriton Vlora të mos jetojë me gënjeshtra, por me dinjitetin që i takon dhe i ka takuar historikisht. E meriton Selenica që të mos mashtrohet për rrugën, dhe e di shumë mirë populli i Selenicës se Presidenti ka vajtur në mes të ditës në Selenicë. E kanë kërkuar, dhe Presidenti ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij për ta mbështetur atë komunitet, ndërsa janë këta që tradhtuan projektin që e integronte Selenicën në zhvillimet më premtuese për të, por dhe u tallën dhe kërkojnë ta mashtrojnë me asfalt elektoral në prag të zgjedhjeve”, tha ai.

Meta tha se Presidenti është një armik i oligarkisë dhe i ftoi gjithë qytetarët shqiptarë të kuptojnë se oligarku është armiku i tyre kryesor, që kontrollon mediet e gënjeshtërta, që japin lajme të gënjeshtra, që kërkojnë të bëjnë një shpëlarje të trurit të gjithë qytetarëve shqiptarë, t’i trajtojnë si njerëz të marrë që të pranojnë çdo të pavërtetë si të vërtetë dhe të jetojnë në një regjim i cili nuk ka si respekt shtetin e së drejtës i cili ka zhbërë Kushtetutën e Shqipërisë.
“Rënia e regjimit që bazohet mbi gënjeshtrat është tashmë një çështje proceduriale”, tha ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.