Veliaj te Astiri: Shërbimet po vijnë aty ku janë banorët, së shpejti nis ndërtimi i tri shkollave të reja

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Pas hapjes së dy qendrave shëndetësore në Lagjen 13 dhe në Lanabregas, banorët e një tjetër lagjeje në kryeqytet do të marrin shërbimet shëndetësore pranë shtëpive të tyre. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishin sot në qendrën e re shëndetësore në Lagjen 14, e cila përfshin zonën e njohur si “Astiri”.

Veliaj tha se në këtë zonë, disa vite më parë, nuk ekzistonte as Unaza e Madhe, as bulevardi, dhe nuk kishte as poliklinikë, ku banorët mund të merrnin shërbimet shëndetësore. Ai u shpreh se pavarësisht bindjeve, lufta nuk është me njëri-tjetrin, por me kohën e humbur dhe me një infrastrukturë që ka nevojë të urbanizohet.

“Ndonjëherë, kur futet politika, e kthen luftën me njeri-tjetrin si luftë kundër projekteve. Humbëm tre vjet, kemi humbur vite të tëra, ndaj besoj që qytetarët do e kuptojnë se vetëm duke punuar ecim përpara. Bashkia përmirësoi furnizimin me ujë dhe bëri bulevardin, ARRSH-ja dhe ministrja Balluku sollën Unazën; Ministria e Shëndetësisë solli qendrën shëndetësore, e mandej do vijojmë me tri shkollat e reja”, vijoi ai.

Veliaj tha se Astiri është një zonë që zmadhohet çdo ditë e më shumë, ndërsa u bëri thirrje banorëve që të regjistrohen.

“Jemi në një lagje ku jetojnë rreth 100 mijë banorë. Por, para 5-6 vitesh gjetëm të regjistruar vetëm 7 mijë banorë. Investimet vijnë në proporcion me numrin e banorëve. Fakti që tani kemi arritur 20 mijë, pra lagjja është trefishuar; kjo nuk do të thotë se janë trefishuar banorët, por janë trefishuar regjistrimet”, tha Veliaj.

Ai tha se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i tre shkollave të reja. “Teksa shërbimet po vijnë aty ku janë banorët, kemi plotësuar realisht një kërkesë që ky komunitet e ka pasur jetësore”, nënvizoi kryebashkiaku.

Në bashkinë e Tiranës, në këto 3 vite janë transformuar 34 qendra shëndetësore dhe ambulanca, duke ofruar shërbim cilësor për qytetarët dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.