Trend i qëndrueshëm i infeksioneve ditore, Manastirliu: Masat e vendosura do të rishikohen në fund të kësaj jave

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ndodhen në aeroportin “Nënë Tereza” ku pritet mbërritja e 8190 dozave të vaksinës “Pfizer”.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Manastirliu tha se ka një trend të qëndrueshëm të infeksioneve ditore.

“Ne kemi një vlerësim dinamik të situatës. Ka një ekip ekspertësh jo vetëm nga Komiteti Teknik, por edhe nga Instituti i Shëndetit Publik dhe ekspertë të organizatave ndërkombëtare për të bërë vlerësimin e situatës epidemiologjike. Kemi një trend të qëndrueshëm të infeksioneve ditore. Por situata vlerësohet në bazë të përhapjes, qoftë javore, apo dyjavore”, tha Manastirliu.

Duke folur për efektin e masave të marra së fundmi si ora policore, apo alternimi i mësimit në shkolla, Manastirliu tha se efekti i tyre nuk pritet të shihet menjëherë, ndërkohë që rishikimi i masave do të bëhet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve në fund të kësaj jave.

“Masat që kemi marrë, qoftë ora policore nga ora 8 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, apo alternimi i mësimit, pritet të kenë një impakt, por nuk shihet menjëherë. Në fund të kësaj jave do të kemi një rivlerësim 14-ditor të masave. Komiteti do të dalë me një analizë të plotë, dhe më pas do të vendoset nëse do të ketë shtrëngim të masave”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se është në dorën e qytetarëve që të mos kemi shtrëngim të masave, pasi mund të zbatojnë rregullat e vendosura, qoftë duke përdorur maskat, qoftë duke ruajtur distancën, të cilat ministrja i quajti “armë të thjeshta” për të mos shkuar drejt një situate që shumë vende europiane kanë muaj që janë.

E pyetur për procesin e vaksinimit, Manastirliu tha se ka një prioritizim të grupeve të popullatës sipas niveleve të riskut.

“E kemi filluar ashtu sikurse e kemi thënë me ata të cilët janë më shumë të ekspozuar dhe që na shërbejnë të gjithëve, që janë mjekët, infermierët, personeli ynë shëndetësor. Aktualisht janë vaksinuar mbi 6 mijë mjekë, infermierë. Ndërkohë që kemi filluar tashmë prej një jave vaksinimin e të moshuarve në shtëpitë e të moshuarve, kujdestaret gjithashtu”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se ka një plan të mirëstrukturuar vaksinimi për të vaksinuar të gjitha grupmoshat, bazuar dhe në mikroplanet që janë organizuar për çdo bashki.

“Përsa i përket grupeve +80 vjeç vaksinimi tashmë kanë filluar. Dhe sigurisht mbi baza të grupmoshave dhe mikroplaneve që ne kemi organizuar për çdo bashki, do të shtrihemi dhe ashtu si kemi bërë do të vijojmë dhe me vaksinimin e kësaj grupmoshe. Për të zbritur më pas në grupmosha të tjera sipas planit tonë. Sigurisht disponibiliteti i vaksinës, lloji i vaksinës që do të vijë do të kombinojë edhe planin tonë që është i mirëstrukturuar, dhe ka të gjithë kapacitetet dhe disponojmë të gjitha kapacitetet për të bërë vaksinime

 

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.