Propozimi për shtyrjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit/ Çuçi: Askush nuk do të mbetet pa votuar, jemi në kontakt me KQZ-në

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot, në një prononcim për mediet jashtë selisë së Kuvendit, se po shikohet me vëmendje propozimi për shtyrjen e afatit të kartave të identitetit deri në 30 prill, ndërkohë që janë në kontakt me KQZ-në.

“Kemi marrë njoftimin që kërkojnë shtyrjen, po e shikojmë me shumë vëmendje dhe jam në kontakt me kryetarin e KQZ për të marrë një opinion lidhur me këtë çështje. Jemi në koordinim të plotë, mund t’i garantoj shqiptarët se askush nuk do të mbetet pa votuar për shkaqe që nuk varet nga ata. Po bëjmë të gjitha përpjekjet dhe me kompaninë ALEAT që zgjedhësit të kenë një dokument jo vetëm si detyrim, por edhe si nevojë për të marrë shërbime. Jemi në një komunikim të vazhdueshëm me kompaninë”, tha Çuçi.

Lidhur me shkeljet e masave antikovid gjatë takimeve elektorale, Çuçi tha se, “nuk do të tolerohet askush”.

“Janë çështje të organeve ligjzbatues e porosia është e qartë, askush nuk do të tolerohet nëse shkel rregullat. Është zbatimi i çdo rregulli, protokolli në lidhje me këtë gjë”, tha ai.

Ministri u bëri thirrje çdo partie politike, kandidatëve që kanë hyrë në ethet e fushatës të mundohen të zbatojnë këto rregulla. “Nuk është thjesht çështje e zbatimit të rregullave, por është edhe çështje që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve”, tha ai. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.