Lehtësitë fiskale/ Vjero: 100 mijë biznese përjashtohen nga tatimfitimi dhe 46 mijë nuk paguajnë TVSH

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero tha se, “janë mbi 100 mijë biznese që përfitojnë nga zerimi i tatimfitimit, 46 mijë biznese të tjerë që përjashtohen nga skema e TVSH-së dhe një e ardhur mbi 5 miliardë lekë që mbetet në dorën e sipërmarrjes, për t’u rimëkëmbur dhe zhvilluar”.

Gjatë një interviste televizive Vjero theksoi se, “qeveria ka injektuar mbështetjen e duhur financiare dhe fiskale për rikuperimin e ekonomisë, që u godit rëndë gjatë vitit 2020 nga tërmeti dhe pandemia COVID-19.

Sipas saj, “mbështetja me paketat financiare për qytetarët dhe biznesin dhe adresimi i 34 milionë lekëve nga buxheti i shtetit për programin e rindërtimit pas tërmetit, synojnë të rikuperojnë ekonominë tonë gjatë këtij viti”.

“Gjatë vitit të kaluar treguesit buxhetorë patën një rënie të dukshme dhe rritja ekonomike u frenua dhe nuk eci me ritmet e parashikuara në fillim të vitit, çka e detyroi qeverinë të ndryshojë buxhetin disa herë, me qëllim që të akomodonte të gjitha kërkesat që lidheshin si me përballimin e pandemisë, por edhe për të ndihmuar dhe asistuar biznesin dhe individët që ishin në nevojë”, – tha ajo

Sipas saj, gjatë 2020 ekonomia pati një rënie -5 %, por që do të ketë rikuperim gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm.

“Qeveria mbështeti biznesin nëpërmjet paketave të ndihmës financiare dhe kemi të bëjmë me dy paketa që u dhanë për individët dhe bizneset, dhe e gjithë kjo mbështetje financiare pati një efekt në buxhetin e shtetit prej 13 miliardë lekë. Ndërkohë që kemi Garancinë Sovrane, të parë dhe të dytë, për të gjithë sipërmarrësit që e shfrytëzuan në një masë të gjerë këtë mbështetje, që iu dha për të mos lejuar mbylljen apo reduktimin e të punësuarve. Skema e Garancisë Sovrane shënoi masën 25 miliardë lekë. Ndërkohë tashmë ka filluar edhe procesi i rindërtimit me një efekt financiar prej 34 miliardë lekë në buxhetin e shtetit, që do të vendosen në dispozicion të këtij procesi për vitin 2021. Ndërkohë kemi parashikuar buxhetin e ardhshëm me 31 miliardë lekë në 2 vitet që vijnë për të finalizuar procesin e rindërtimit”, – deklaroi Vjero.

Ajo tha se, ka pasur një reagim të madh nga qeveria shqiptare për të përballuar situatën dhe parashikimet tona janë optimiste. “Ne presim që ekonomia të rikuperohet në 2021 në 6 % dhe të kemi me tej një trend pozitiv 4 % rritje në vitet e ardhshme dhe një rënie të borxhit publik”, tha Vjero.

Duke u ndalur në lehtësitë fiskale që janë marrë në ndihmë të komunitetit të biznesit, Vjero u shpreh se, “bizneset me qarkullim nga 0-14 milionë lekë nuk do të paguajnë tatimfitimi dhe janë mbi 100 mijë biznese të tilla që do të përfitojnë nga kjo masë që nga janari i këtij viti”.

Gjithashtu tha ajo, “janë 46 mijë biznese që do të përjashtohen nga skema e TVSH. Pra bizneset nga 0-10 milionë lekë tashmë nuk do të paguajnë TVSH. Ndërkohë që 5 miliardë lekë i mbeten në dorë biznesit për zhvillimin dhe rivitalizimin e tij”.

Ajo theksoi se nga lehtësimi i barrës fiskale përfitojnë 97 % e shqiptarëve dhe taksa progresive është në mbështetje të shtresës së mesme.

/e.xh//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.