Kombëtarja U-19 nis grumbullimin 3-ditor në premierën e Cungut

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Kombëtarja shqiptare U-19 nis sot një grumbullim 3-ditor nën drejtimin e trajnerit të ri të ekipit kuqezi, Armando Cungu.

Tekniku shkodran ka ftuar 25 lojtarë, me pjesën dërrmues që vijnë për herë të parë në këtë grupmoshë, pasi në të kaluarën janë aktivizuar me ekipet e moshave U-18 dhe U-17.

Ekipi do të grumbullohet në kompleksin “Tropikal” në Durrës, ndërsa lojtarët e ftuar janë të vitlindjeve 2002, 2003 dhe 2004.

Në listë ka disa emra interesantë, që aktivizohen edhe në skuadra të huaja dhe kanë qenë vazhdimisht nën vëzhgimin e skautëve të FSHF-së. për t’u përmendur janë emra si Keslin Shani (Lokomotiva e Zagrebit), Armelindo Mema (QPR), Zajsar Arapi (Kickers Offenbach), Lion Cahani (Gorica), Fabian Shahaj (Den Haag), Henry Hysenagolli (Leganes CD) apo edhe Arbër Bytyçi (Laçi).

Gjatë këtij stazhi stërvitore Kombëtarja U-19 do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore ndaj Kombëtares U-18, që do të zhvillohet më datë 24 shkurt 2021, ora 10:30 në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës.

Kjo është edhe premiera e trajnerit, Armando Cungu në stolin kuqezi, pas emërimit të tij në këtë detyrë pak javë më parë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.