Investigimi III/ Balla: Berisha privatizoi kompleksin “Partizani” tek persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij, Basha do t’i pajiste me leje ndërtimi

TIRANË, 22 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla publikoi sot të dhënat e investigimit (pjesa III) të realizuar nga “Report TV” në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”, të titulluar “Duart e familjes Berisha mbi ‘Kompleksin Partizani’”.

Balla shprehet se “në vitin 2012 qeveria e Sali Berishës privatizonte kompleksin “Partizani” tek disa persona të përfaqësuar nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Më pas Lulzim Basha si kryetar bashkie do t’i pajiste me leje ndërtimi”.

Sipas investigimit të Report TV  thuhet se Jamarbër Malltezi është investitor me 11.5 mln euro i tre kullave të tjera në ish-Kompleksin Partizani! Cila është origjina e parave?

“Në tetor 2006 Argita Berisha deklaroi në një intervistë televizive se ajo dhe bashkëshorti Jamarbër Malltezi kishin gjendje në bankë vetëm 39.500 dollarë dhe 2000 euro. Ne datën 8.10.2008  Jamarbër Malltezi firmosi një marrëveshje duke marrë përsipër 35% të ndërtimit të 17 kullave te kompleksit Magnet që kushton dhjetëra milionë euro. Në 2020 ka filluar edhe 3 kulla të tjera ku mbulon 50% të investimit. Kjo pjesë e tretë e investigimit që tregon për herë të parë llogaritë financiare të Jamarbër Malltezit dhe dokumente sekrete që tregojnë se si dhëndri i ish-kryeministrit siguron pasuri imobiliare me vlerë miliardash, pa pasur zyrtarisht një disponibilitet financiar që mund t’i justifikojë”, thuhet në investigim. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.