Divjakë/ Thasët e prodhuar në Çermë të Sipërme, eksportohen nga Kosova deri në Kanada

TIRANË, 22 shkurt /ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se  thasët që prodhohen në Çermë të Sipërme të Divjakës eksportohen nga Kosova deri në Kanada.

Braçe solli historinë e Kosta Papës dhe djalit të tij të cilët prodhojnë thasë dhe kanë punësuar 60 punëtorë.

“Unë nuk e njihja me parë Kosta Papën, as djalin e tij Erjonin, për herë të parë i takova dhe dëgjova pak ditë me parë. As kanë e as merren me parti, nuk kanë kohë për politikë -ndjekin prodhimin, ama për politika që mbrojnë punëtorët, rrisin prodhimin, u krijojnë mundësi që ata vetë të rriten në ide e teknologji, biseduam për më shumë se një orë. Kjo në Çermë të Sipërme me gati 60 punëtorë është degë e ndërmarrjes së tyre në Vorë dhe unë i jam shumë mirënjohës për këtë, vendosjen këtu, punësimin, kushtet e punës, eksportet. Por më shumë ju jam mirënjohës për kurajon për të prodhuar këtu, edhe me shumë për ambicien e qartësinë e Erjonit për të prodhuar këtu, në Shqipëri, lëndën e parë duke u bërë lider në rajon, teknologjinë e dijen që synojnë të vendosin këtu”, tha ai.

Braçe shton se, “është realisht vizion, e ardhme. Ndërkohë, nuk mund të rri pa e thënë: Në këtë vend ka prodhim, ai eksportohet, ndërkohë që ente publike të njëjtin produkt e blejnë përmes kontratash nga importi. E di, ma thonë shpesh, është çështje tregu dhe funksionim i tregut të lirë”.

“Patjetër, por e shihni foton e parafundit, është porosia e një prej kompanive më të mëdha në Holandë dhe për të po prodhohet në Çermë. Çdo ent në këtë vend, duhet të shohë e të blejë prodhimin këtu, sipas ligjit, rregullave, cilësisë, çmimit dhe interesit që është shumë i qartë këtu”, tha Braçe.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.