“Bashës i pëlqen modeli rus i qeverisjes”/ Hajdari: Më është hedhur baltë sepse qëndrova në parlament

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari deklaroi sot se kreut të PD, Lulzim Basha i cili synon të vijë në pushtet i pëlqen modeli rus i qeverisjes.

Duke folur në seancën plenare në Kuvend ku po shqyrtohet raporti për veprimtarinë vjetore të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2020, Hajdari tha se, është një nga ata persona që u sulmua më shumë sepse nuk dogji mandatin e deputetit.

“Unë jam një nga ata persona që është sulmuar më shumë në Shqipëri, më është hedhur kaq shumë baltë dhe kaq shumë vrer sepse pranova të rrija në parlament, kur të tjerët e Partisë Demokratike e vendosën ta braktisnin institucionin”, tha ajo.

“Kur e mora këtë vendim unë kisha në mendjen time këtë imagjinatë. Kisha në mendjen time një Shqipëri, e cila kishte këto kushte. Unë e dija dhe e di se dhuna, bojkoti, braktisja e institucioneve nga çdo opozitë na largojnë nga kjo Shqipëri që ne të gjithë e duam. Jo vetëm unë si Rudinë, jo vetëm unë si politikane, por e dua edhe si nënë”, tha Hajdari.

“Prandaj qëndrova në këtë parlament, punova fort, aq sa munda dhe brenda atyre hapësirave që pata që ne të ecnim përpara në këtë proces. E di që kontributi im vlerësohet sot maksimalisht nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Por unë e di që kjo nuk mjafton. Nuk mjafton vetëm puna e një apo dy personave, por duhet vullnet politik i të gjithë klasës politike që vendi të ecë përpara. Më lejoni t’ua them se ky vullnet nuk ekziston”, u shpreh Hajdari.

“Ky që është sot kryeministër është shumë i lidhur me modelin e vjetër turk të qeverisjes, i pëlqen ideja e të qenurit sulltan. I pëlqen ideja e qeverisjes me fermanë të shkruara natën. E ai që qëndron jashtë, që do të bëhet kryeministër nesër i pëlqen modeli rus i qeverisjes, ku pavarësisht se çfarë duan njerëzit, çfarë duan të tjerët, ky do të mbetet në krye. I njëjti person, i cili pasi eliminon të gjithë armiqtë, të gjithë bashkëpunëtorët, të gjithë ata që japin kontribut e gjak e vlerë në Partinë Demokratike, ai i shpall armiq. Deri në vdekje do të sundojë, edhe nëse foleja e tij do shndërrohet në një barake”, tha Hajdari.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.