Agroturizmi dhe dixhitalizimi i fermave, mundësi për zhvillimin e bujqësisë

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) po ndihmojnë në diversifikimin dhe rritjen e aftësive konkurruese për fermerët e vegjël përmes promovimit të agroturizmit dhe dixhitalizimit të sektorit.

MBZHR bën të ditur se, është finalizuar projekti i FAO-s në tri zona pilot në vend: Belsh, Malësi e Madhe dhe Korçë, që shërbeu për shkëmbimin e njohurive në fushën e agroturizmit mes rajoneve dhe hartimin e një draft dokumenti mbi sektorin e agroturizmit dhe vizionit për transformimin dixhital të bujqësisë.

Në një takim virtual, përfaqësuesi i FAO në Shqipëri, Arben Kipi, inkurajoi bashkëpunimin dhe qasjen ndaj agroturizmit për diversifikimin e ekonomisë rurale, duke theksuar mundësitë e reja për fermerët e vegjël në zhvillimin e agroturizmit, përfshirë të gjithë partnerët potencialë. Ai gjithashtu vlerësoi mundësitë e shumta që teknologjia dixhitale mund të ofrojë në përshpejtimin e zhvillimit bujqësor në axhendën e pas 2030.

“Për të zhvilluar një strategji kombëtare për bujqësinë dixhitale kemi nevojë të bashkëpunojmë”, tha Sophie Treinen, përfaqësuesja rajonale e FAO për çështjet e bujqësisë dixhitale. Ndërsa e vuri theksin se ndërlidhja dixhitale, veçanërisht në kushtet e sotme, është një domosdoshmëri për zhvillim.

“Ne arritëm të përshpejtonim bashkëpunimin me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është thelbësore për një grup efektiv në nivel kombëtar kushtuar zhvillimit të strategjisë kombëtare për bujqësinë dixhitale”, tha ajo.

Strategjia e ardhshme në sektor do të bëhet pjesë integrale e Strategjisë Ndërsektorale e Shqipërisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.

/e.xh//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.