Zhupa nga Kombinati: Pallati u dëmtua nga tërmeti, Bashkia ende asnjë vendim

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Partia Demokratike ka denoncuar sot rastin e një prej pallateve të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kombinatit, i cili është rrënuar, por sipas PD-së, nga Bashkia Tiranë ende s’ka asnjë vendim të Këshillit Bashkiak. Sipas njoftimit nga PD, banorët kanë mbetur në mes të katër rrugëve pasi shteti nuk po u jep një zgjidhje për strehimin e tyre në bazë të vlerës së pronës së apartamentit që kishin.

PD denoncon se, vendimi për shembjen e pallatit është marrë pa asnjë konsultim me banorët dhe asnjë dokumentacion ligjor, pronarët e apartamenteve kërkojnë të dinë se çfarë do të ndodhë me strehimin dhe më pas me kompensimin e pronës së tyre.

Ina Zhupa e cila ndoqi nga afër shqetësimin e këtyre banorëve theksoi se ky është një tjetër rast skandaloz se si ligji shkelet me të dyja këmbët dhe se si shteti shkatërron në mënyrë barbare banesat e qytetarëve, pa asnjë vendim ligjor.

“Ky pallat sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nuk është shembur akoma, ndërkohë që ne jemi në rrënojat e tij. Shteti ligjor me Edi Ramën dhe me Erjon Veliajn, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, nuk funksionon. Ata nuk duan t’ia dinë për ligjet, nuk duan t’ia dinë për jetën e qytetarëve, nuk duan t’ia dinë për strehimin e qytetarëve, duan vetëm të bëjnë propagandë, të filojmë që këtu po shembdet dhe gjoja po punohet në Kombinat. Duan vetëm të tregojnë që ata e meritojnë mandatin e tretë ndërkohë që nuk kanë punuar asnjë ditë për qytetarët, por vetëm për veten e tyre, një grup oligarkësh dhe klientë të pushtetit. Më 25 prill i kthehemi edhe një herë shtetit ligjor dhe me 25 prill qytetarët e Kombinatit do të votojnë për të humbur Rama dhe për të fituar Tirana dhe për të fituar e gjithë Shquipëria”, tha Ina Zhupa nga Kombinati. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.