Vota e shqiptarëve jashtë vendit/ Balla: Kuvendi ka miratuar kuadrin ligjor, i takon KQZ-së të vendosë

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Sekretari i Përgjithshmë i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, “Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar të gjithë kuadrn ligjor të nevojshëm që çdo shqiptarë që jeton jashtë territorit të vendit, të votojë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prill”. “I takon KQZ të vendosë”- tha Balla.

“Frika ime është që PD-LSi, po bëjnë gjithçka kanë mundësi të bëjnë, me përfaqëqësuesit e tyre në strukturat e KQZ-së, për ta penguar procesin që shqiptarët jashtë territorit të vendit të votojnë, sikurse vëllezërit e tyre kosovar që votuan në zgjedhjet e 14 shkurtit, me postë”- tha Balla.

Balla theksoi se “ajo që ka propozuar përfaqësuesi i PS-së në kQZ, është që ne kemi krijuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme të regjistrimit. Pra, nëse vëllai apo motra jeton në Itali apo Greqi, ato mund të regjistrohen në portalin përkatës dhe në adresën që është i regjistruar i shkon fleta e votimit në një zarf, ku ai mund të votojë për forcën politike që dëshiron dhe ky shërbim është i parapaguar dhe numërohet siç u numërua në zgjedhjet e Kosovës”.

“Nëse doni vullnetin politik të PS-së është 1 mijë përqind, që ne duam, që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të votojnë sepse ndajmë vlerësimin e të gjithëve se, pa ata nuk do të ishte Shqipëria që kemi”, tha Balla.

“Por ne, vijoi Balla, kemi bërë edhe një gjë tjetër, ne kemi krijuar mundësinë që të gjitha ata që janë kthyer nga emigracioni do të jenë në listat e PS-së. Ne krijuam një dritare përmes portalit Deputeti që duam nga i cili, kemi i dentifikuar shumë energji të reja që janë pjesë e PS-së”.

“Vullneti ynë është i plotë. Ne e filluam procesin që në 2017, por siç e dini ata dolën nga parlamenti. Ne i miratuam prapë ligjet siç kishim rënë dakort me opozitën jashtë parlamentit dhe ata përsëri vazhdojnë të bëjnë lojën e vjetër. Nuk e di ku e kanë inatin me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Por një gjë duhet të kenë parasysh që për ne, për klasën politike shqiptare, vota e tyre është një detyrim. PS e ka bërë të gjithë pjesën e vet e i mbetet KQZ-së, të bëjë punën e vet, po të dojë LSI të mos e bllokojë”- deklaroi Balla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.