Kryemadhi takim në Patos: Forcën tonë e kemi te gratë dhe te vajzat

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, zhvilloi sot, në Patos një takm me gratë e kësaj zone ku vuri theksin, tek problematikat e grave e burrave naftëtarë, të cilat për muaj të tëra nuk merrnin pagat nga kompania.

Ajo tha se “ne kemi qenë bashkë me Kejdin edhe te greva e grave naftëtare dhe një nga problemet që ne kemi kuptuar, ndoshta Kejdi e njeh pak më shumë sepse të dy prindërit kanë punuar në sektorin e naftës, është se të bënte përshtypje që gratë kishin mbi 20 muaj që nuk merrnin pagat. Dhe mirë që nuk merrnin pagat, por të gjitha i kishin fëmijët studentë dhe duhet të përgjigjeshin për çdo gjë, për shkollën, për ushqimin, për veshmbathjen. Ndërkohë që paguanin taksat e bashkisë, paguanin energjinë elektrike, një ditë mos të paguanin energjinë elektrike ajo i pritej. Një ditë të mos paguanin ujin, ai ju pritej. Ndërkohë që kishin mbi 20 muaj që pagat nuk i merrnin”.

” Ajo që të bën shumë përshtypje sot, është që qeveria jonë është fokusuar tek pasurimi i 3-4 vetave dhe ka lënë jashtë kontrolli dhe jashtë fuqizimit shumicën e njerëzve, të cilët janë kontribuuesit kryesorë në institucione dhe në shtet”- theksoi Kryemadhi.

Ajo nënvizoi se, “ne në fakt forcën tonë e kemi te gratë dhe te vajzat”.

“Jo se nuk e kemi te burrat, se edhe burrat i duam, por ne besojmë tek serioziteti dhe angazhimi i grave dhe vajzave të reja. Dhe aq më shumë i të rinjve, sepse në fund të fundit ne tek ata fokusohemi”, tha Kryemadhi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.