Kalaja e Elbasanit, aset me potenciale të jashtëzakonshme për turizmin/ Koha ideale për investim, pas sistemimit të problemit të mbetjeve

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kalaja e Elbasanit është një aset me potenciale të jashtëzakonshme për turizmin.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Elbasanit mëngjesin e të dielës, u shpreh se tashmë janë kushtet ideale për të investuar dhe për të kthyer në realitet projektin e Rilindjes së Kalasë së Elbasanit, një arsye tjetër përse duhet dhe mandati i tretë.

“Sot ne kemi faktet, nuk është çështja më e një faze embrionale e disa projekteve, që një pjesë e madhe e atyre që kanë privilegjin të komunikojnë me njerëzit përmes mediave e konsideronin thjesht një zbukurim, fasadë, sipërfaqësore… Sot kemi faktet që këto ndërhyrje janë mirëfilli me impakt ekonomik”,- tha Rama.

“Të ndërhysh në zonat e trashëgimisë kulturore me potencial turistik për të ndërtuar shëtitore, për të ndërtuar hapësira urbane të kualifikuara bukur, do të thotë të bësh ekonomi. Këtë e tregojnë shifrat në të gjitha këto hapësira. Shembulli më konkret është ai i pazarit të vjetër të Korçës. Sa të ardhura dhe sa biznes bënte në të shkuarën dhe sa është impakti kësaj hapësire sot, përtej sa e ka rritur turizmin kjo zonë. Ka shumë njerëz që nisen drejt Korçës për të shkuar drejt pazarit të Korçës për të kaluar atje një kohë të caktuar. Kalaja e Elbasanit është një aset i jashtëzakonshëm në këtë drejtim”,- vuri në dukje Rama.

“Është absolutisht një aset me potencial ekonomik të jashtëzakonshëm. Rilindja e Kalasë në një frymë dhe formë tjetër, duke ruajtur hiret e saj që janë trashëguar ndër shekuj dhe vënja në dispozicion e Kalasë në të gjithë makinerinë e zhvillimit ekonomik të qytetit, që askush nuk duhet dhe s’mund ta diskutojë. A do të ishte e mundur kjo bisedë, kur ndërkohë makthi i Elbasanit ishin plehrat e qytetit. A do bënte sens të merreshim me këtë, pa stabilizuar tjetrën, përpara se të shëronim një plagë të hapur në mes të qytetit. Unë mendoj që jo, sepse sado që Kalaja do tërhiqte, mali me plehra dhe ndotja do shtynin pas. Tani është koha ideale për të çuar përpara këtë projekt”,- theksoi Rama.

“Nga ana ime nuk do mungojë mbështetja, por jo vetëm kaq. Jam brenda këtij projekti dhe jam për ta çuar përpara këtë projekt. Elbasani e ka një magnet të jashtëzakonshëm kalanë për turizmin, por nuk është në funksion. Kur të vihet në funksion fluksi turistëve do jetë me patjetër dhe kjo do jetë sfida e radhës, përballimi  i fluksit të qytetarëve. Kjo është një arsye tjetër pse duhet të kemi një mandat të tretë”,- nënvizoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.