COVID-19 – Polonia shqyrton mbylljen e kufijve me Sllovakinë dhe Republikën Çeke

VARSHAVË, 21 shkurt /ATSH-PAP/ – Polonia mund të vendosë kufizime në kufijtë e vendit me Sllovakinë dhe Republikën Çeke për shkak të përkeqësimit të situatës pandemike në ato vende, deklaroi ministri polak i Shëndetësisë, Adam Niedzielski.

I pyetur nga radio ”Zet” nëse qeveria po konsideronte mbylljen e kufijve në jug të vendit me dy vendet, të cilat kohët e fundit kanë parë një numër në rritje të rasteve të reja Covid-19, ai tha “po, patjetër”.

“Kufijtë do të jenë të hapur për personat që mund të provojnë rezultate negative të testit”, tha ai.

”Sidoqoftë, një vendim i tillë mund të ndryshojë në varësi të dinamikës së situatës së pandemisë”, shtoi ai.

Ai shtoi se vendimi mbi mbylljet e pjesshme të kufijve do të shpallet javën e ardhshme.

Niedzielski vuri në dukje se aktualisht njerëzve që udhëtojnë me transport publik u kërkohet të paraqesin një rezultat negativ në pikat e hyrjes.

“Për momentin, po punohet për të zbatuar një zgjidhje të tillë në transportin privat”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se priste që kulmi i valës së tretë të pandemisë të binte në mars ose prill./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.