540 milionë lekë për rehabilitimin e qendrës së Ndroqit/ Këlliçi: S’është vënë asnjë tullë

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/  Belind Këlliçi i Partrisë Demokratike ishte sot në Ndroq, zonë e cila pritet të kthehet në qendër turistike.

Gjatë takimit, Këlliçi tha se Erion Veliaj shpenzoi 540 milionë lekë për rehabilitimin e qendrës së Ndroqit duke mashtruar se do e kthente në një qendër turistike, me bujtina, parkingje, bankomat e hotele, por në të vërtetë s’është vënë asnjë tullë.

“Nga mëngjesi deri në darkë nxjerrin projekte 3D, me filma vizatimorë. Nuk u skuqet faqja. Në 8 vite Shqipëria ka mbetur në vendnumëro. Edi Rama me Erjon Veliajn janë në garë se kush gënjen më shumë qytetarët dhe kush vjedh më shumë buxhetin e shtetit. Erjon Veliaj premtoi në 2015-ën, zero leje ndërtimi si kryetar Bashkie i Tiranës”, u shpreh Këlliçi.

“Do mbahem mend si kryetari i Bashkisë që ndërtoi më shumë parqe dhe lulishjte se sa pallate”, citoi ai  Veliajn.

“Ka dhënë 2.3 milionë metra katrorë leje ndërtimi dhe raportet ndërtokëmbëtare thonë se në vitet 2015 – 2018 në Tiranë janë pastruar 1.6 miliardë euro nga mafia e betonit, 1/3 e buxhetit të shtetit të Shqipërisë. Erjon Veliaj e urren Tiranën dhe nuk e lidh asgjë me Tiranën. Kullën e Sahatit e ka kthyer në orë muri të oligarkëve. Po ua ngre kullën 20 kate në krah dhe kulla e Sahatit do të bëhet aksesor i kullës. Ai që është martuar në Kala, 500 milionë u tha qytetarëve i bëra me lekët e pensionit të mamit. Ma thoni si del pensioni i një nëne për të martuar djalin me 500 milionë lek? Ma thoni dhe unë tërhiqem dhe i kërkoj publikisht falje”, tha Këlliçi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.