Spitali Rajonal, Elbasan/ Me Pediatrinë e re mbyllet transformimi rrënjësor, nis vaksinimi antikovid i bluzave të bardha

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Spitali Rajonal të Elbasanit, ku pa nga afër transformimin rrënjësor të këtij spitali që përmbyllet me pediatrinë e re, dhe sot nuk njihet krahasuar me 7 vjet më parë, ndërkohë që nis vaksinimi edhe për bluzat e bardha në këtë zonë.

I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri Rama pa nga afër transformimin e këtij spitali rajonal, në sajë të investimeve të qeverisë.

Duke parë gjendjen ekzistuese të lavanderisë së spitalit dhe pajisjeve që ishin aty, Rama kërkoi që të mos hidhen pasi janë muzeale.

“Duhet t’i mbani. Mos i hidhni. Prandaj më shkon mendja sa herë dëgjoj këta që flasin për shëndetësinë them: o Zot sikur largqoftë të vinte COVID-i me këto spitale, kur drejtonin këta, ose të na gjenin ne në spitalet tona sot me këtë situatë. Atëherë do të shihnim ne çfarë do të thotë qamet dhe çfarë hataje e jashtëzakonshme do të ishte në të katër anët”, tha ai.

Ministrja Manastirliu informoi se në Spitalin Rajonal të Elbasanit kemi përfunduar investimin më të ri, Spitalin Pediatrik, ku nuk ishte investuar prej shumë vitesh.

“Investimi i fundit ishte para viteve ’90. Sot fillojmë edhe vaksinimin r personelit shëndetësor në Spitalin e Elbasanit dhe vijojmë me vaksinimin në të gjithë qarkun, për sa i përket spitaleve bashkiake. Gjithashtu nga java tjetër fillojmë edhe vaksinimin sipas protokolleve me prioritet mjekët e familjes”, tha ajo.

Ndërkohë, për sa i përket investimit në Spitalin Pediatrik, Manastirliu tha se “me këtë investim përmbyllet gjithë qendra spitalore e Elbasanit, pasi ky ishte një ndër spitalet që na kishte mbetur së fundi në gjithë atë kolanën e investimeve”.

Manastirliu tha se në këtë spital po bëhet një investim radikal si për sa i përket sistemit të ngrohjes, ftohjes, sistemit kapot, por janë po ashtu edhe 75 shtretër, 60 prej të cilëve do të kenë furnizim me linjës e oksigjenit.

“Pra do të jetë një spital i standardeve bashkëkohore. Do të ketë një adaptim si spital Pediatrik i cili është miqësor për fëmijët. Në këto vite ne jemi përpjekur të bëjmë investime të pjesshme në spitalet tona. Puna ka filluar dhe investimi përfundon në 18 muaj, sipas kontratës, por ne duam ta përfundojmë brenda këtij viti”, tha ajo.

Ministrja tha se “këtu jemi gati, edhe me pavijonin COVID për ta hapur”. “Janë gjithë linjat e oksigjenimit të shtruara, gjithë sistemet e gazrave, pajisjet shëndetësore, çdo gjë është gati për ta hapur në rats se do të ketë nevojë”, tha ajo.

Ministrja tha se “është hapur edhe qendra e vaksinimit në spitalin e Elbasanit”.

“Këtu është hapur një pikë e vaksinimit për stafin e Spitalit të Elbasanit. Ka filluar tashmë vaksinimi. Sot vaksinojmë 80 mjekë e infermierë, ndërkohë që do të vijojmë edhe ditët e ardhshme me personelin mjekësor të Librazhdit, Përrenjasit, Gramshit dhe pastaj në vijim. Sot e nesër do të vijojë edhe Vlora, Shkodra, vijon po ashtu edhe Fieri”, tha ajo.

“Unë kam 21 vjet që punoj në spitalin e Elbasanit dhe transformimet që janë bërë këto vite janë të vërteta, i prekim çdo ditë”, tha një mjeke e këtij spitali.

Ndërkohë, kryeministri Rama u shpreh se “prandaj ndaj me ju keqardhjen e madhe që disa raste abuzuesish dhe batakçinjsh ju bëjnë pis padrejtësisht të gjithëve, por nuk e heqin dot sidoqoftë vlerën e jashtëzakonshme që ju keni treguar në këtë fazë dhe realisht sakrificën e jashtëzakonshme që po bëni”.

“Kështu kurajo, rezistencë durim dhe angazhim sepse edhe kjo pjesë e këtyre batakçinjve do të rregullohet hap pas hapi dhe kërkon kohën e vetë”, tha ai, ndërsa shtoi se “këtu ishte si stacioni i atyre varkave të refugjatëve që shkojnë në jug të Italisë”. /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.